Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të dielën në mbrëmje në Ekuador, ku një karvan humanitar i udhëhequr nga Presidenti Daniel Noboa është sulmuar nga një grup protestuesish të armatosur. Sipas zëdhënëses së qeverisë, Carolina Jaramillo, incidenti ndodhi në Cotacachi, në provincën Imbabura, gjatë një udhëtimi për të shpërndarë ndihma për komunitetet e prekura nga greva kombëtare.
Karvani përfshinte përfaqësues të Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, ambasadorin italian dhe diplomatët e Vatikanit. Gjatë sulmit, rreth 350 persona përdorën kokteje Molotov për të sulmuar mjetet dhe ushtarët që shoqëronin presidentin. Si pasojë, 17 ushtarë janë rrëmbyer dhe aktualisht nuk dihet vendndodhja e tyre, ndërsa 12 të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Pamje të publikuara nga Presidenti Noboa në rrjetin social X tregojnë dritare të thyera dhe automjete të dëmtuara rëndë. “Ata kundërshtojnë përparimin e Ekuadorit dhe zgjedhin dhunën. Ne nuk mund të kthehemi mbrapa,” deklaroi ai. Ndërkohë, ambasadori italian në Quito, Giovanni Davoli, konfirmoi se ishte i pranishëm në karvan, por nuk pësoi lëndime.
Forcat e Armatosura të Ekuadorit kanë cilësuar autorët e sulmit si “grupe terroriste” dhe kanë publikuar imazhe të dhunshme të ushtarëve të gjakosur. Ato paralajmëruan se sulme të tilla nuk do të mbeten të pandëshkuara.
Protestat janë organizuar nga organizata më e madhe e të drejtave indigjene në vend, Conaie, e cila kundërshton prerjen e subvencioneve të karburantit. Organizata ka akuzuar ushtrinë për vrasjen e një protestuesi dhe kërkon drejtësi. (A2 Televizion)