
Parada tradicionale e 9 Majit në Rusi, e njohur si Dita e Fitores, do të zhvillohet këtë vit pa praninë e mjeteve të rënda ushtarake, për herë të parë në gati dy dekada. Autoritetet ruse kanë vendosur që në Sheshin e Kuq të mos ekspozohen tanke, sisteme raketore apo pajisje të tjera luftarake, duke përmendur si arsye situatën aktuale të sigurisë dhe rrezikun nga sulmet me dronë të Ukrainës, përcjell A2 CNN.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, ndryshimet janë diktuar nga frika se mjetet ushtarake mund të bëhen objektiv i sulmeve gjatë përgatitjeve apo edhe gjatë vetë paradës. Analistët theksojnë se kolonat e pajisjeve janë veçanërisht të prekshme kur vendosen në terrene të hapura për prova, çka i bën ato objektiva të lehta për dronët me rreze të gjatë veprimi.
Edhe pjesëmarrja e kadetëve nga shkollat ushtarake dhe institucionet rinore është anuluar, ndërsa Kremlini ka fajësuar atë që e quan “aktivitet terrorist ukrainas” për këto masa të pazakonta.

Që prej nisjes së pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022, parada e Ditës së Fitores është zvogëluar ndjeshëm, me më pak demonstrime ushtarake dhe një prani më të kufizuar të liderëve të huaj. Megjithatë, kjo festë mbetet një element kyç i identitetit politik dhe historik që promovon presidenti Vladimir Putin.
Ndërkohë, sulmet me dronë nga Ukraina ndaj territorit rus janë intensifikuar, duke synuar kryesisht infrastrukturën industriale dhe energjetike. Edhe pse këto sulme kanë shkaktuar dëme dhe ndërprerje, ekspertët paralajmërojnë se ndikimi ekonomik nuk duhet mbivlerësuar, pasi të ardhurat nga energjia vijojnë të mbeten të larta për shkak të çmimeve globale të naftës. (A2 Televizion)