Ministrat e Jashtëm të Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe pritet të zhvillojnë bisedime të rëndësishme për programin bërthamor iranian këtë të premte në Gjenevë, së bashku me homologun e tyre iranian, në një përpjekje të përbashkët evropiane për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të krizës në Lindjen e Mesme.
Sipas një burimi diplomatik gjerman që foli për agjencinë Reuters, takimi do të paraprihet nga një mbledhje me diplomaten e lartë të Bashkimit Europian, Kaja Kallas, në misionin e përhershëm të Gjermanisë në Gjenevë. Pas kësaj, do të zhvillohet një takim i përbashkët me Ministrin e Jashtëm të Iranit, shkruan A2 CNN.
Kjo nismë diplomatike vjen në një kohë tejet të tensionuar, pasi Izraeli ndërmori sulme të gjera ushtarake kundër Iranit javën e kaluar, ndërsa Teherani reagoi me lëshimin e një vale raketash drejt objektivave izraelite. Frika për një përplasje të gjerë rajonale është shtuar ndjeshëm, veçanërisht në kushtet kur presidenti amerikan Donald Trump ka refuzuar të sqarojë nëse SHBA do të bashkohet me fushatën ushtarake të Izraelit.
Qëllimi kryesor i bisedimeve, të cilat janë të koordinuara me Shtetet e Bashkuara, është që pala iraniane të japë garanci të qarta dhe të pakundërshtueshme se programi i saj bërthamor do të ketë vetëm qëllime civile. Pas takimit të nivelit ministror, është planifikuar një dialog më i strukturuar në nivel ekspertësh.
Izraeli ka deklaruar se synon të çmontojë çdo kapacitet të Iranit për zhvillimin e armëve bërthamore, ndërsa vetë Irani këmbëngul se programi i tij ka vetëm qëllime paqësore dhe shkencore.
Në një deklaratë të fortë që shkaktoi reagime të ashpra në Teheran, kancelari gjerman Friedrich Merz shprehu mbështetje të plotë për sulmet izraelite dhe paralajmëroi Iranin se përshkallëzimi i mëtejshëm do të përballet me “shkatërrime edhe më të mëdha”. Në të njëjtën linjë, Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul i bëri thirrje udhëheqësve iranianë që të angazhohen për zgjidhje paqësore, duke deklaruar: “Asnjëherë nuk është vonë për të ardhur në tryezën e negociatave”.
Europa, e vendosur mes aleancës me Izraelin dhe përpjekjeve për ruajtjen e stabilitetit rajonal, duket se po rimerr një rol aktiv në menaxhimin e krizave ndërkombëtare – një rol që do të varet shumë nga suksesi i këtyre bisedimeve në Gjenevë. (A2 Televizion)