Mbi 20 të vrarë në Gaza. Avionët dhe tanket izraelite, breshëri sulmesh në enklavë

Nga Rosalba Bejdo
12 Gusht 2025, 14:00 | Bota

Avionët dhe tanket izraelite vijuan bombardimet në zonat lindore të qytetit të Gazës përgjatë natës, duke vrarë të paktën 11 vetë.

Në jug të enklavës, pesë persona të tjerë, përfshirë një çift dhe fëmijën e tyre, humbën jetën pas shënjestrimit të banesës së tyre nga predha izralite në Khan Junis, ndërsa 4 të tjerë u vranë në një kamp të afërt, në zonën bregdetare të Mawasi, shkruan A2.

Ushtria izraelite tha se po verifikonte raportimet dhe se forcat e veta po merrnin masa për të minimizuar dëmet civile. Në një tjetër deklaratë gjatë së martës, IDF bëri të ditur se kishte vrarë dhjetëra militant në Rripin e Gazës gjatë muajit të fundit dhe se kishte shkatërruar më shumë tunele të përdorura prej tyre.

Izraeli ka intensifikuar bombardimet në enklavë pasi njoftoi planet për nisjen e një ofensive të re, për pushtimin e qytetit të Gazës. Lëvizja ka nxitur reagime të ashpra rreth botës, mes frikës për përshkallëzim të vuajtjeve për palestinezët atje. 5 persona të tjerë, përfshirë 2 fëmijë, thuhet të kenë humbur jetën si pasojë e urisë gjatë 24 orëve të fundit.

Vdekjet e tjera e çojnë në 227 numrin total të viktimave nga kequshqyerja, mes të cilëve 103 fëmijë.

Teksa lufta bëhet gjithmonë e më e egër në Gaza, lideri i Hamasit, Khalil Al-Hayya, udhëton në Kajro për të rigjallësuar planin e armëpushimit të mbështetur nga SHBA. Raundi i fundit i bisedimeve në Katar përfundoi pa asnjë rezultat në fund të korrikut, me Hamasin dhe Izraelin që shkëmbyen akuza për mungesën e progresit, lidhur me propozimin amerikan për 60 ditë armëpushim dhe lirim të pengjeve.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos