Përshkallëzohen tensionet në ngushticën e Hormuzit. Presidenti amerikan Donald Trump urdhëroi marinën që të qëllojë dhe fundosë çdo anije që vendos mina në ujërat e i tinerarit kyç tregtar.
Donald Trump tha: “Kam urdhëruar Marinën e Shteteve të Bashkuara të qëllojë dhe të fundosë çdo anije, qofshin ato varka të vogla, që vendosin mina në ujërat e Ngushticës së Hormuzit. Nuk duhet të ketë hezitim”. Në të njëjtën kohë kreu i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se Shtetet e Bashkuara po punojnë për të larguar minat nga ngushtica.
Në një postim tjetër, pak minuta më vonë, Trump theksoi se SHBA kanë kontrollin e plotë mbi Hormuz dhe se asnjë anije nuk mund të hyjë ose largohet pa aprovimin e tyre. Sipas tij, iranianët nuk e dinë se kush po i drejton, ndërsa një betejë e ashpër po zhvillohet brenda vendit mes ndjekësve të linjës së ashpër dhe të moderuarve.
Donald Trump u shpreh: “Iranianët e kanë shumë të vështirë të kuptojnë se kush është udhëheqësi i tyre! Ata thjesht nuk e dinë! Lufta e brendshme është midis “radikalëve”, të cilët kanë qenë duke humbur keq në fushën e betejës, dhe “të moderuarve”, të cilët nuk janë aspak shumë të moderuar por po fitojnë respekt! Është një çmenduri! Ne kemi kontroll të plotë mbi Ngushticën e Hormuzit. Asnjë anije nuk mund të hyjë apo të dalë pa miratimin e Marinës së Shteteve të Bashkuara. Ajo është “e mbyllur fort”, derisa Irani të jetë në gjendje të bëjë një MARRËVESHJE!!!”
Ndërkohë pak ditë pasi forcat amerikane sulmuan dhe mësynë në bordin e një cisterne iraniane në zonën e Indo-Paqësorit, bëhet e ditur se një tjetër anije e sanksionuar që transportonte naftë nga Irani, ishte ndaluar nga marina amerikane. Departamenti i Mbrojtjes theksoi se ushtria do të vazhdojë të pengojë çdo anije që dyshohet se i siguron material mbështetës Iranit.
Ndërkohë pas njoftimit të Pentagonit, komanda qendrore amerikane tha se kishte urdhëruar 31 anije të ktheheshin mbrapsht ose në port, që kur ka hyrë në fuqi bllokada e SHBA. Siç thuhet, një personel prej më shumë se 100 avionësh dhe 17 luftëanijesh janë të përfshira në operacion. (A2 Televizion)