
Qëndrimi i Iranit kundër zhvillimit të armëve bërthamore nuk do të ndryshojë ndjeshëm, tha ministri i Jashtëm Abbas Araqchi, sipas raportimeve të mediave iraniane të mërkurën, duke paralajmëruar se lideri i ri suprem ende nuk e ka shprehur publikisht qëndrimin e tij për këtë çështje.
Ish-Lideri Suprem, Ajatollah Ali Khamenei, i cili u vra në fillim të luftës SHBA-Izrael kundër Iranit, ishte kundër zhvillimit të armëve të shkatërrimit në masë në një fetva, apo dekret fetar, të lëshuar në fillim të viteve 2000.
Vendet perëndimore, përfshirë SHBA-në dhe Izraelin, prej vitesh e kanë akuzuar Teheranin se synon të zhvillojë armë bërthamore, ndërsa autoritetet iraniane kanë deklaruar se programi i tyre bërthamor është vetëm për qëllime civile. Araqchi tha se fetvat varen nga juristi islam që i lëshon ato dhe shtoi se nuk është ende në një pozicion për të gjykuar pikëpamjet juridike apo politike të Mojtaba Khamenei-t, liderit të ri suprem të Iranit, raporton A2CNN.
Ministri i Jashtëm iranian tha se beson që, pas përfundimit të luftës, vendet që kufizohen me Gjirin Persik duhet të hartojnë një protokoll të ri për Ngushticën e Hormuzit, për të siguruar që kalimi i sigurt përmes kësaj rruge të ngushtë ujore të bëhet sipas kushteve të caktuara, në përputhje me interesat e Iranit dhe të rajonit.
Irani e mbylli këtë rrugë jetike energjetike, përmes së cilës kalon një e pesta e naftës dhe gazit të lëngshëm në botë, duke deklaruar se “nuk do të lejojë as edhe një litër naftë” të arrijë në SHBA, Izrael dhe partnerët e tyre. Të martën, kryetari i parlamentit iranian deklaroi në rrjetet sociale se situata në Ngushticën e Hormuzit nuk do të kthehet në gjendjen para luftës.
SHBA-ja ka kërkuar të krijojë një koalicion detar për të shoqëruar anijet që lundrojnë në këtë ngushticë, ndërsa shumica e aleatëve të NATO-s kanë deklaruar se nuk dëshirojnë të përfshihen në operacione ushtarake kundër Iranit.
Franca, anëtare e NATO-s, tha se do të shqyrtonte vetëm një koalicion të përbashkët ndërkombëtar për sigurimin e kalimit në ngushticë pas një armëpushimi dhe negociatave paraprake me Teheranin.
Araqchi tha se përfundimi i luftës është i mundur vetëm nëse konflikti mbyllet përfundimisht në të gjithë rajonin dhe nëse Irani merr kompensim për dëmet e shkaktuara. I pyetur për sulmet iraniane në Gjirin Persik, që jo vetëm synonin bazat ushtarake amerikane, por prekën edhe zona banimi apo tregtare, ministri i Jashtëm tha se kjo ndodhi sepse forcat amerikane ishin zhvendosur në zona urbane.
“Kudo që kishte grumbullim të forcave amerikane, kudo që kishte objekte që u përkisnin atyre, ato u goditën. Është e mundur që disa prej këtyre vendeve të kenë qenë pranë zonave urbane,” tha diplomati i lartë iranian.
Araqchi pranoi se vendet e rajonit janë “të shqetësuara dhe qytetarët e tyre janë dëmtuar apo shqetësuar” nga sulmet iraniane, por shtoi se përgjegjësia bie tërësisht mbi SHBA-në për nisjen e luftës më 28 shkurt. (A2 Televizion)