Pas kreut të këshillit të lartë të sigurisë në Iran, Ali Larijani, Izraeli vret edhe ministrin e inteligjencës Esmail Khatib. Lajmin e bëri të ditur ministri izraelit i mbrojtjes, Izrael Katz, përmes një deklarate. Eliminimi i një tjetër zyrtari të lartë iranian vjen pasi Netanjahu urdhëroi ushtrinë të gjurmojë dhe vrasë të gjithë lidershipin në republikën islamike. Vrasja e Larijanit të martën nxiti reagimin e fortë të Teheranit që premtoi hakmarrje.
Një breshëri raketash që mbanin bomba thërrmuese u lëshuan drejt Izraelit gjatë natës, duke goditur një zonë të populluar në Tel Aviv, ku mbetën të vrarë 2 persona. Municionet të cilat shpërbëhen në ajër në eksplozivë të vegjël e shumëfishtë dhe përhapen në një zonë të gjerë janë të vështira për t’u interceptuar.
Në një deklaratë këtë të mërkurë, zëdhënësi i forcave të armatosura iraniane tha se do të përdornin armë të tjera më të forta, të cilat nuk ishin përdorur deri më tani gjatë konfliktit. Retorika e Teheranit sinjalizon një përshkallëzim të luftës.
Shpërthime dhe interceptime dronësh u raportuan edhe në Dubai, Katar, Kuvajt, Bahrein, Irak dhe Arabinë Saudite. Sipas raportimeve në shënjestër të sulmeve është vënë sërish ambasada amerikane në Bagdad, ku janë parë flakë dhe tym të ngriheshin nga godina.
Ushtria amerikane deklaroi se kishte goditur zona raketore iraniane përgjatë ngushticës së Hormuzit, me bomba të fuqishme bunkershpërthyese. Në një postim, komanda qendrore tha se kishin përdorur me sukses municione që depërtojnë në thellësi përgjatë bregdetit. Kjo sugjeron se Irani po i mban armatimet në thellësi të tokës.
Izraeli ndërkohë ndërmori një valë të fortë sulmesh përreth kryeqytetit libanez të Beirut, duke urdhëruar evakuime në jug të vendit ku po lufton Hezbollahun. Në një prej shpërthimeve u rrafshua një godinë në qendër të qytetit, e cila nuk njihet si bastion i Hezbollahut, po është një zonë e rrethuar nga biznese e hotele.
Libani raportoi të paktën 10 viktima dhe 27 të plagosur nga sulmi. (A2 Televizion)