“Qëndro, më duhesh akoma”, Macron shqyrton emrat për kryeministrin e Francës

Nga Erjon Dervishi
8 Korrik 2024, 19:48 | Bota

Presidenti francez, Emmanuel Macron i ka kërkuar kryeministrit Gabriel Attal të qëndrojë në postin e tij si kryeministër. Vendimi i shefit të Elysse, vjen pas lëvizjes që kreu Kryeministri Attal menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve të përgjithshme në Francë, aty ku e majta arriti një fitore bindëse. Media franceze Le Figaro thekson se Macron i ka kërkuar Attal të qëndrojë në detyrë “për momentin”, në mënyrë që të “sigurojë stabilitetin e vendit”.

Sakaq, udhëheqësi i Frontit Kombëtar dhe kandidati për Kryeministër, Jordan Bardella ka marrë përsipër përgjegjësinë për humbjen në zgjedhje.

“Po, sigurisht, ne gjithmonë bëjmë gabime, unë kam bërë disa, të gjithë kemi bërë disa dhe unë marr pjesën time të përgjegjësisë për këto rezultate. Unë kam qenë në krye të Frontit Kombëtar, si gjatë zgjedhjeve europiane, ashtu edhe në këtë fushatë, dhe ndaj marr përgjegjësinë, sa për fitoren në zgjedhjet europiane, ashtu edhe për humbjen e djeshme”, tha Bardella.

Ndërkohë, grupimet politikë në Francë kanë nisur diskutimet për atë se kush do të jetë kryeministri i ri i Francës. Jean-Luc Melenchon, udhëheqës i partisë së ekstremit të majtë, Franca e Panënshtruar njëherësh udhëheqës i koalicionit të Frontit të Ri Popullor, ka kërkuar që të majtës t’i jepet shansi për formimin e Qeverisë. Konventa sugjeron se Macroni duhet të ftojë një politikan nga grupimi më i madh që ta marrë këtë post.

Macron me gjasë do të shqyrtojë të gjitha opsionet para se të nominojë një kryeministër nga koalicioni i majtë. Një opsion është që të tentohet të përçahet aleanca majtiste, e cila është e fragmentuar, por u bashkua vetëm pasi Macron shpalli zgjedhjet e parakohshme parlamentare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos