Jo vetëm ndalim të pasurimit të uraniumit, por çmontim të infrastrukturës bërthamore, është ajo që kërkon Izraeli në çdo ujdi të mundshme bërthamore me Iranin.
Në një fjalim në Jerusalem të dielën, kryeministri Beniamin Netanyahu tha se gjatë vizitës në Shtëpinë e Bardhë i kishte parashtruar presidentit amerikan Donald Trump kushtet e tij ku përfshihet largimi i të gjithë materialit të pasuruar nga Irani dhe paaftësimi i Republikës Islamike për të pasuruar uranium të mëtejshëm, shkruan A2 CNN.
“Nuk duhet të ketë më kapacitet pasurimi. Ne kërkojmë jo vetëm ndalim të procesit të pasurimit të uraniumit, por çmontim të pajisjeve dhe infrastrukturës që lejon pasurimin”, tha ai.
Deklarata e kryeministrit izraelit vjen pasi autoritetet në Tehran thanë se janë të gatshme të pranojnë kompromise për një marrëveshje bërthamore nëse SHBA-të do të diskutojnë heqjen e sanksioneve. Megjithatë, Irani e konsideron pasurimin zero si një vijë të kuqe dhe një shkelje të të drejtave të tij sipas traktatit të mospërhapjes bërthamore.
SHBA-të kanë shtuar presionin mbi Iranin për të arritur një marrëveshje dhe kanë grumbulluar forca të mëdha ushtarake në Lindjen e Mesme duke dërguar dy aeroplanmbajtëse përfshirë anijen e tyre më të madhe luftarake. Forcat detare shtesë sipas Sekretarit të Shtetit Marko Rubio do të mbrojnë nga çdo kërcënim i mundshëm në rajon. Në një konferencë për shtyp në Sllovaki, Rubio tha se presidenti Trump preferon diplomacinë dhe një marrëveshje të negociuar përballë sulmeve të drejtpërdrejta ndaj Iranit. Të dërguarit e Trump Steve Witkof dhe Jared Kashner takohen sot me negociatorët iranianë në Gjenevë për një raund të ri bisedimesh. Rubio u shpreh optimist se një ujdi do të arrihej. (A2 Televizion)