Qindra turistë të zhdukur, përmbytjet shkatërruese “varrosin” fshatra të tëra në Nepal

Nga Erjon Dervishi
26 Gusht 2026, 14:42 | Bota

Përmbytjet e fuqishme në zonat kufitare të Himalajeve, mes Nepalit dhe Tibetit kinez, shkaktuan vdekjen e të paktën nëntë personave dhe shkatërruan rrugë, ura e projekte energjetike. Autoritetet në të dyja vendet përgatiteshin për më shumë viktima dhe dëme edhe më të rënda. Raportohet për mbi 341 persona të zhdukur, mes tyre edhe shumë turistë të huaj.

Shtëpi dhe rrugë u shkatërruan nga uji në Nepal, ndërsa zyrtarët në Tibet shprehën frikën për “viktima të shumta” dhe persona të zhdukur në qarkun Gyirong, pasi një rrëshqitje dheu goditi një pikëkalim tokësor midis dy vendeve fqinje.

Helikopterët e shpëtimit nuk mundën të uleshin në zonat e prekura të Syapru Besi dhe Timure, në distriktin malor të Rasuës (me një popullsi prej rreth 50,000 banorësh), pasi lumi kishte dalë nga shtrati i tij normal, thanë zyrtarët.

Televizionet transmetuan pamje të shtëpive të shembura në ujërat e përmbytjes, makinave që notonin dhe një ure metalike që po merrej nga rrjedha, ndërsa dëshmitarët i thanë agjencisë Reuters se uji kishte përfshirë fshatra të tëra.

“Mund të ketë viktima të shumta ose humbje të mëdha pronash”, tha administratori i distriktit, Narendra Pariyar, i cili u bëri thirrje banorëve përgjatë lumit Bhote Koshi të zhvendoseshin në zona më të larta, pas raporteve se fshatra dhe zona ku po realizoheshin projekte ishin përfshirë nga uji.

“Ka shkatërrim kudo që hedhim sytë”, tha për Reuters Tula Bahadur BK, një punonjës shëndetësor në Rasuë. “Vendbanimet pranë lumit janë shkatërruar plotësisht. Pesë nga të afërmit e mi janë të zhdukur.”

Helikopterët e shpëtimit të Nepalit nuk do të mund të ulen në zonat e prekura derisa të tërhiqet uji, tha zëdhënësi i ushtrisë, Raja Ram Basnet.

Shkaku i përmbytjes nuk ishte menjëherë i qartë, por një përmbytje e menjëhershme dhe vdekjeprurëse në të njëjtin lumë vitin e kaluar rezultoi se ishte shkaktuar nga zbrazja e një liqeni akullnajor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos