Shpërthen malaria në aeroportin e Frankfurtit, 6 punonjës të infektuar, njëri humb jetën

Nga A2 CNN
26 Gusht 2026, 12:04 | Bota

Shpërthen malaria në aeroportin e  Frankfurtit, 6 punonjës

Gjashtë punonjës në Aeroportin e Frankfurtit në Gjermani, janë prekur nga malaria, njëri prej të cilëve ka humbur jetën. Rastet u konfirmuan nga operatori i aeroportit Fraport dhe Instituti Robert Koch. Katër raste ishin raportuar në mesin e korrikut, por numri i përgjithshëm është rritur që atëherë në gjashtë.

Pesë punonjësit e tjerë të prekur nga sëmundja po i nënshtrohen trajtimit specifik mjekësor. Sipas raporteve fillestare, infeksionet lidhen me të ashtuquajturën "Malaria e Aeroportit ", një mënyrë e rrallë transmetimi jashtë zonave ku sëmundja është e pranishme. Një ose më shumë mushkonja të infektuara mund të kenë mbërritur në aeroport në mesin e verës, të jenë transportuar në hambarin e një avioni ose në bagazhe nga një zonë rreziku, dhe më pas të kenë pickuar dhe infektuar punonjësit e aeroportit.

Pas zbulimit të rasteve, në aeroport janë vendosur kurthe për mushkonjat dhe disa ekzemplarë janë asgjësuar. Ato do t’i nënshtrohen analizave laboratorike për të verifikuar nëse mbartin parazitin që shkakton malarien.

Fraport u ka kërkuar punonjësve të paraqiten te mjeku nëse shfaqin simptoma të sëmundjes dhe të informojnë se punojnë në aeroport. Autoritetet shëndetësore kanë theksuar se malaria nuk transmetohet nga njeriu te njeriu, por vetëm përmes pickimit të mushkonjave të infektuara.

Instituti Robert Koch ka raportuar edhe raste të tjera të dyshuara në rajonin Reno-Main gjatë muajve korrik dhe gusht, të cilat mund të lidhen me aktivitetin në aeroportin e Frankfurtit.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos