Një sulm raketor i Rusisë ndaj një zone stërvitore në qytetin e Sumit në Ukrainë vrau të paktën 6 ushtarakë dhe plagosi më shumë se 10 të tjerë, bëri të ditur garda kombëtare e Ukrainës. Ministria e mbrojtjes në Rusi publikoi më herët një video që tregonte sulmin me raketa Iskander ndaj një kampi trajnimi, shkruan A2 CNN.
Sipas agjencisë së lajmeve ruse, TASS, të paktën 70 vetë ishin vrarë. Rajoni i Sumit është bërë shpesh shënjestër e bombardimeve ruse, dhe Ukraina nisi ofensivën madhore në rajonin rus të Kursk, pikërisht prej andej.
Ndërkohë në një zhvillim tjetër, Kremlini tha se presidenti rus Vladimir Putin kishte vizituar zyrtarët ne Kursk një ditë më herët në të parën ndalesë në rajon që kur forca ukrainase u dëbuan prej andej. Ai u takua me vullnetarë dhe guvernatorin lokal, duke vizituar edhe një impiant të energjisë bërthamore. Putin tha se situata në Kursk mbetej e vështirë. (A2 Televizion)