Irani mohoi akuzat se po ndërton armë bërthamore, duke denoncuar deklaratat e fundit të presidentit Donald Trump si të rreme dhe të pabaza.
Në fjalimin për Gjendjen e Kombit të martën, kreu i Shtëpisë së Bardhë përsëriti pretendimin se Irani po përpiqej të përmbushte “ambicjet e këqija” dhe paralajmëroi se nuk do të lejonte kurrë që Republika Islamike të zotëronte një bombë bërthamore.
Po ashtu, ai theksoi se Irani ka zhvilluar raketa që kërcënojnë Europën dhe bazat amerikane përtej detit, si dhe se po punonte për raketa në gjendje të arrinin SHBA-në, shkruan A2 CNN.
Por zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baqai, u kundërpërgjigj të mërkurën, duke akuzuar SHBA-në dhe Izraelin për përdorimin e taktikave të propagandës kundër Iranit.
“Gënjeshtarët profesionistë janë të mirë në krijimin e iluzioneve të së vërtetës”, tha ai, duke cituar ministrin e propagandës në Gjermaninë naziste, Joseph Goebbels, se duke përsëritur shpesh një gënjeshtër, ajo bëhet e vërtetë.
Zëdhënësi shtoi se deklaratat për raketat balistike të Iranit janë thjesht një përsëritje e “gënjeshtrave të mëdha”. (A2 Televizion)