Ai që nisi si një raportim i thjeshtë presidencial drejtuar Kongresit të Shteteve të Bashkuara është shndërruar sot në një arenë presioni në “prime-time”, e formësuar nga një epokë polarizimi të ashpër politik. Fjalimi mbi Gjendjen e Kombit tashmë zhvillohet si një natë e gjatë tensioni të orkestruar dhe përballjesh të hapura, një moment ku presidentët përpiqen të rimarrin kontrollin e narrativës në kohë trazirash dhe të krijojnë imazhet përcaktuese të periudhës së tyre në pushtet.
Presidenti amerikan Donald Trump iu drejtua mbrëmjen e së martës me një fjalim rekord prej 1 ore e 47 minutash, shumë larg nga fjalimi i parë i presidentit George Washington në vitin 1790, një raport prej vetëm 1,089 fjalësh që mund të lexohej më shpejt sesa shumë presidentëve modernë u duhet kohë për të nisur fjalën.
Në vitin 1801, presidenti Thomas Jefferson zgjodhi një qasje tjetër: dërgoi një mesazh me shkrim në vend që të fliste personalisht para Kongresit, një praktikë që zgjati më shumë se një shekull. Vetëm në vitin 1913, presidenti Woodrow Wilson riktheu traditën e mbajtjes së fjalimit në sallë.
Në vitin 1947, presidenti Harry Truman mbajti fjalimin e parë të transmetuar në televizion, duke shënuar fillimin e një epoke të re në komunikimin presidencial. Në vitin 1965, presidenti Lyndon B. Johnson e zhvendosi fjalimin në orar mbrëmjeje për të maksimizuar audiencën televizive.
Që prej asaj kohe, fjalimet e natës janë bërë gjithnjë e më të zhurmshme, ndërsa ndarjet partiake janë thelluar. Partia e presidentit ngrihet shpesh në këmbë për duartrokitje, ndërsa opozita qëndron e ulur në shenjë proteste.
Këtë vit, një grup demokratësh bojkotuan fjalimin e Trump-it, duke organizuar një tubim në ambient të hapur kundër politikave të tij. Tensione të ashpra pati edhe në sallë, me presidentin që sulmoi ashpër demokratët, duke i quajtur antiamerikanë, dhe ligjvënësin Al Green që u shoqërua jashtë Dhomës së Përfaqësuesve pasi mbante një pankartë me shkrimin: “Njerëzit me ngjyrë nuk janë majmunë”.
Tensioni shtohet edhe më shumë pasi Trump do të përballet drejtpërdrejt me gjyqtarët e Gjykatës së Lartë vetëm pak ditë pasi një shumicë 6–3, përfshirë dy të emëruar prej tij, rrëzoi tarifat e vendosura prej tij, duke i cilësuar si tejkalim të kompetencave presidenciale.
Presidentët e viteve të fundit kanë folur shumë më gjatë se George Washington. Presidenti Bill Clinton vendosi rekord në vitin 2000 me një fjalim që zgjati 1 orë, 28 minuta e 49 sekonda. Fjalimi i Trump-it në vitin 2025 e tejkaloi edhe këtë, duke zgjatur 1 orë, 39 minuta e 32 sekonda.
Fjalimi i Trump-it vitin e kaluar erdhi shumë shpejt pas rikthimit të tij në presidencë për t’u konsideruar zyrtarisht “State of the Union”. Ashtu si me presidentët e tjerë në fillim mandati, ai u quajt thjesht një fjalim para një sesioni të përbashkët të Kongresit.
Presidenti Ronald Reagan nisi traditën e ftesës së mysafirëve specialë në vitin 1982, duke prezantuar Lenny Skutnik, një punonjës i Zyrës së Buxhetit të Kongresit, i cili kishte shpëtuar në mënyrë heroike një të mbijetuar nga një aksident ajror në lumin Potomac.
Ndonjëherë këto nderime kanë qenë polemike, si në vitin 2020 kur Trump i dha Medaljen Presidenciale të Lirisë moderatorit radiofonik Rush Limbaugh, një figurë shumë përçarëse.
Në vitet e fundit, disa nga momentet më të bujshme kanë qenë përballje të hapura që u bënë virale. Gjatë një fjalimi për shëndetësinë në vitin 2009, presidenti Barack Obama u ndërpre me thirrjen “Ti gënjen!” nga kongresmeni republikan Joe Wilson, i cili kundërshtonte deklaratën e Obamës se reforma nuk do të mbulonte emigrantët e paligjshëm. Wilson më pas kërkoi falje.
“Ka nga ata që pretendojnë se reformat tona do të siguronin emigrantët e paligjshëm. Edhe kjo është e pavërtetë. Reformat që unë propozoj nuk do të zbatohen për ata që ndodhen këtu në mënyrë të paligjshme”, tha Obama.
Trump refuzoi t’i shtrëngonte dorën kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, në vitin 2020. Në fund të fjalimit 80-minutësh, Pelosi u ngrit dhe grisi kopjen e fjalimit të tij para kamerave. Ajo tha më pas se ishte “gjëja më e sjellshme për t’u bërë, duke marrë parasysh alternativën”.
Presidenti Joe Biden u përball me ndërprerje dhe thirrje nga republikanët, përfshirë deputeten Marjorie Taylor Greene dhe kongresmenin Andy Ogles gjatë fjalimit në vitin 2023.
“Disa nga miqtë e mi republikanë duan ta marrin ekonominë peng – e kuptoj – nëse nuk bie dakord me planet e tyre ekonomike. Në vend që t’i bëjnë të pasurit të paguajnë pjesën e tyre të drejtë, disa republikanë duan që Medicare dhe Sigurimet Shoqërore të skadojnë. Nuk po them se është shumica. Kushdo që dyshon, le të kontaktojë zyrën time – do t’ju jap një kopje të propozimit”, tha Biden.
Biden e përdori fjalimin në vitin 2024 për të krijuar kontraste të forta me Trump-in, duke e akuzuar për minimin e demokracisë, afrimin me Rusinë dhe bllokimin e reformës së emigracionit.
“Në nëntor, ekipi im nisi negociata serioze me një grup senatorësh dypartiakë. Rezultati ishte një projektligj dypartiak me paketën më të ashpër të reformave për sigurinë kufitare që kemi parë ndonjëherë”, tha Biden.
“Nuk mendoni kështu? Nuk ju pëlqen ai projektligj, apo jo? Ai për të cilin konservatorët u bashkuan dhe thanë se ishte një projektligj i mirë?”
“E pabesueshme. Është e jashtëzakonshme.”
Fjalimi mbi Gjendjen e Unionit ka shënuar edhe momente kyçe politike.
Në vitin 1941, presidenti Franklin D. Roosevelt shpalli fjalimin e “Katër Lirive”: lirinë e fjalës, lirinë e besimit, lirinë nga varfëria dhe lirinë nga frika.
Në vitin 1996, Bill Clinton deklaroi se “epoka e qeverisë së madhe ka përfunduar”.
“Ne e dimë dhe kemi punuar për t’i dhënë popullit amerikan një qeveri më të vogël dhe më pak burokratike në Uashington. Dhe duhet t’i japim popullit amerikan një qeveri që jeton sipas mundësive të saj. Epoka e qeverisë së madhe ka përfunduar”, u shpreh Bill Clinton.
Në vitin 2002, presidenti George W. Bush shpalli Irakun, Iranin dhe Korenë e Veriut si “boshti i së keqes”, duke shënuar një kthesë drejt një politike të jashtme më agresive pas sulmeve të 11 shtatorit.
“Shtete si këto dhe aleatët e tyre terroristë përbëjnë një bosht të së keqes, që armatosen për të kërcënuar paqen e botës duke kërkuar armë të shkatërrimit në masë. Këto regjime përbëjnë një rrezik të madh dhe në rritje”, tha George W. Bush. (A2 Televizion)