Flakët nuk kursejnë as Holliwood-in. Të paktën pesë vatra zjarri kanë shpërthyer aktualisht në Los Anxhelos dhe në qarkun e tij fqinj Ventura në Kaliforni të Shteteve të Bashkuara, të gjitha përveç njërit janë plotësisht të pakontrollueshme.
Është kaos i plotë në Hollywood, pasi rrugët janë të bllokuara dhe njerëzit po jetojnë nën një shtesë tymi të dendur.
Një shef zjarrfikës i tha BBC-së se flakët në Hollywood Hills po zgjerohen me shpejtësi, ndërsa ka zero mundësi për ta frenuar atë.
Pesë persona janë konfirmuar të vdekur, disa të tjerë janë lënduar dhe më shumë se 137 mijë njerëz janë evakuuar në atë që është bërë zjarri më shkatërrues në historinë e Los Angeles. Zjarrfikësit kanë mungesë uji dhe po përdorin ujin nga pishinat dhe pellgjet.
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka deklaruar se një fatkeqësi e madhe po ndodh në Kaliforni, duke vënë në dispozicion fondet federale për individët e prekur.
Pentagoni ka dërguar në zonë avionë ushtarakë për të ndihmuar zjarrfikësit e Los Angeles në shuarjen e flakëve që po shkrumbojnë hektarë tokë, pyje dhe ndërtesa.
Autoritetet kanë lëshuar një alarm për ujin për banorët në zonat përreth vatrave të zjarrit, duke u kërkuar atyre që të pinë vetëm ujë të zier ose të ambalazhuar.
Ndërkohë, kryetarja e Los Angeles, Karen Bass, mbron mungesën e saj kur shpërthyen zjarret pasi gjendej në një vizitë në Afrikë. Ajo po përballet gjithashtu me kritika të ashpra pasi ka shkurtuar 17 milionë dollarë nga buxheti i zjarrfikësve verën e kaluar. Dëmi deri më tani vlerësohet të jetë mbi 50 miliardë dollarë. (A2 Televizion)