
Ish-presidenti i Kubës, Raul Castro, është i përfshirë në bisedimet mes ishullit dhe SHBA-së, ka bërë të ditur presidenti kuban Miguel Diaz-Canel, në një kohë kur tensionet mes dy vendeve janë rritur ndjeshëm.
Diaz-Canel tha të mërkurën se bisedimet janë ende në fazat fillestare, ndërsa vendi po përballet me ndërprerje masive të energjisë elektrike për shkak të një bllokade të naftës të vendosur nga presidenti amerikan Donald Trump. Njoftimi erdhi përmes një interviste të transmetuar nga media shtetërore, pak pasi Trump deklaroi javën e kaluar se do të kishte “nderin të merrte Kubën” së shpejti.
Presidenti kuban paralajmëroi se çdo proces që mund të çojë në një marrëveshje do të jetë i gjatë. “Së pari duhet të ndërtojmë një kanal dialogu. Pastaj duhet të krijojmë agjenda të përbashkëta interesi dhe palët duhet të tregojnë vullnet për të ecur përpara dhe për t’u angazhuar realisht,” tha ai.
Ai shtoi se Castro po luan një rol kyç në udhëzimin e këtij procesi, së bashku me strukturat e Partisë Komuniste, qeverinë dhe shtetin.
Edhe pse Diaz-Canel mori presidencën në vitin 2018, Castro 94-vjeçar, vëllai i Fidel Castro-s, konsiderohet ende figura më e fuqishme në vend. Ai më parë ka udhëhequr bisedimet historike me ish-presidentin amerikan Barack Obama në vitin 2014, që çuan në rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike.
Në fund të janarit, Trump kërcënoi me tarifa çdo vend që furnizon Kubën me naftë, duke shtuar presionin për ndryshime politike. Edhe pse disa nga këto kërcënime u zbutën, embargoja mbetet në fuqi dhe vendi nuk ka marrë furnizime me karburant për tre muaj.
Si pasojë, Kuba po përjeton ndërprerje të gjata të energjisë dhe paralizë të jetës ekonomike e sociale. Javën e fundit, dy ndërprerje kombëtare lanë miliona njerëz pa energji elektrike, ndërsa rrjeti energjetik po degradon.
Koordinatori i OKB-së në Kubë, Francisco Pichon, paralajmëroi për një “krizë humanitare” nëse situata përkeqësohet më tej. Zyrtarët kanë theksuar se nevojiten rreth 94 milionë dollarë për të përballuar krizën energjetike dhe dëmet nga uraganet e vitit të kaluar.
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka paralajmëruar më parë për një “kolaps” humanitar, ndërsa drejtori i përgjithshëm I Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se situata shëndetësore në Kubë është “shumë shqetësuese”, pasi shërbimet mjekësore janë në rrezik serioz. (A2 Televizion)