
Presidenti amerikan Donald Trump ka këmbëngulur se SHBA po negocion me Iranin për t’i dhënë fund luftës, por Teherani ka deklaruar vazhdimisht se nuk ka bisedime.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, pranoi se janë shkëmbyer mesazhe me SHBA përmes ndërmjetësve, por tha se këto “nuk janë dialog, as negociata dhe as diçka e tillë”.
Trump deklaroi se Irani “ka frikë” ta pranojë ekzistencën e bisedimeve, sepse sipas tij “kanë frikë se do të vriten nga populli i tyre”.
Pra, kujt duhet t’i besohet? A është paqja afër, apo palët po përgatiten për një luftë të gjatë që mund të ndikojë në çmimet globale të energjisë gjatë verës?
Shenjat tregojnë se situata po i ngjan një ngërçi të ngjashëm me luftën Rusi-Ukrainë. Të dyja palët thonë se duan fundin e konfliktit, por vetëm sipas kushteve të tyre, të cilat mbeten larg njëra-tjetrës.
Çfarë kërkojnë SHBA dhe Izraeli
Kur lufta nisi më 28 shkurt, në Uashington dhe Jerusalem kishte shpresa se epërsia ushtarake do të sillte rrëzimin e regjimit iranian, ose do ta detyronte atë të pranonte paqen sipas kushteve amerikane.
Kjo nuk ka ndodhur. Përkundrazi, çdo ditë që regjimi iranian mbijeton, ai duket më i sigurt në vetvete.
Një plan me 15 pika i propozuar nga SHBA përfshin:
ndalimin e programit bërthamor të Iranit
ndalimin e raketave balistike
ndërprerjen e mbështetjes për grupet aleate si Huthit në Jemen dhe Hezbollah në Liban
Në këmbim, Irani do të përfitonte lehtësim të sanksioneve dhe një rol të përbashkët në kontrollin e Ngushticës së Hormuzit.
Çfarë kërkon Irani
Fillimisht, Irani e refuzoi planin amerikan duke e cilësuar “të tepruar”.
Më vonë, Araghchi tha se disa ide janë paraqitur për liderët iranianë dhe se vendimet do të merren në kohën e duhur.
Media shtetërore iraniane ka listuar pesë kushte për përfundimin e luftës, përfshirë:
pagesën e dëmshpërblimeve
njohjen e kontrollit të Iranit mbi Ngushticën e Hormuzit
garanci që vendi nuk do të sulmohet më
Këto kërkesa konsiderohen të papranueshme për SHBA dhe aleatët e saj.
Irani beson se, si vendi më i madh në rajon me mbi 90 milionë banorë dhe me vijën më të gjatë bregdetare në Gjirin Persik, duhet të rikthejë rolin si “polici i Gjirit”, një rol që e kishte para revolucionit islamik të vitit 1979.
Ai gjithashtu dëshiron largimin e flotës së pestë të marinës amerikane nga rajoni dhe synon të bëhet fuqia kryesore ushtarake në Gjirin Persik, me mbështetjen e Rusisë, Kinës dhe Koresë së Veriut.
Irani thotë se nuk i beson SHBA-së, pasi sipas tij, dy herë ka hyrë në negociata – në vitin 2025 dhe në shkurt të këtij viti – dhe më pas SHBA është tërhequr duke nisur sulme ushtarake.
Kritikët e Iranit thonë se Teherani thjesht po zvarriste bisedimet pa pasur qëllim real për të hequr dorë nga programet që kërcënojnë rajonin.
Çfarë duan vendet e Gjirit
Vendet arabe të Gjirit janë të shqetësuara nga zhvillimet. Ato nuk kanë pasur simpati për regjimin iranian, por kishin arritur një lloj balancimi para nisjes së konfliktit.
Tani, ato shohin me shqetësim se SHBA nuk arriti ta rrëzojë regjimin iranian, duke e lënë atë të dobësuar, por edhe më agresiv, që po godet fqinjët me dronë dhe raketa.
Irani ka arritur të ushtrojë kontroll de facto mbi Ngushticën e Hormuzit, duke fituar një ndikim të madh mbi tregun global të energjisë.
Kjo rrit presionin ndaj Trump për t’i dhënë fund luftës, ndërsa kufizon opsionet e tij.
Ndërkohë, rreth 5,000 marinsa amerikanë dhe trupa të tjera mund të dërgohen në rajon, por çdo operacion tokësor mbart rrezik të madh për humbje dhe për përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit.
Mbijetesa e regjimit iranian e ka bërë atë më të vendosur në kërkesat e tij. Ai beson se koha dhe gjeografia janë në anën e tij. Sa më shumë që SHBA thotë se Irani është i dëshpëruar për një marrëveshje, aq më pak i gatshëm duket Teherani për ta pranuar atë./BBC
(A2 Televizion)