
Një dron iranian goditi një aeroport të Azerbajxhan pranë kufirit të përbashkët të dy vendeve, duke shënuar herën e parë që një shtet në Kaukaz është shënjestruar nga Irani që nga fillimi i luftës së Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit kundër Teheranit.
Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit tha se droni goditi ndërtesën e terminalit në një aeroport në Nakhchivan, një enklavë e Azerbajxhanit që kufizohet me Iranin, duke dëmtuar një pjesë të kompleksit dhe duke plagosur dy civilë.
Një dron i dytë ra pranë një shkolle në një fshat aty pranë. Baku tha se rezervon të drejtën për të ndërmarrë masa hakmarrëse, raporton A2CNN.
Azerbajxhani, një shtet autoritar i pasur me naftë që ka mbajtur një qëndrim neutral në konfliktin e Lindjes së Mesme, kohët e fundit ka zhvilluar lidhje më të ngushta me Izraelin dhe administratën e Donald Trump, ndërsa gradualisht po largohet nga Moska, fuqia tradicionale ndërmjetësuese në Kaukaz.
Vendi nuk strehon baza ushtarake amerikane, gjë që sugjeron se Irani mund të jetë duke zgjeruar sulmet e tij përtej objektivave që lidhen drejtpërdrejt me forcat amerikane.
Bashkëpunimi ushtarak i Azerbaixhanit me Izraelin ka shkaktuar tensione me Iran, megjithëse dy fqinjët në përgjithësi kanë ruajtur marrëdhënie pragmatike. Të dy vendet kanë shumicë myslimane shiite, dhe Irani është shtëpi për miliona azerë etnikë, vlerësimet variojnë nga rreth 15 deri në më shumë se 20 milionë, shumë prej të cilëve jetojnë në provincat veriperëndimore që kufizohen me Azerbajxhanin. (A2 Televizion)