Rutte: NATO mbështet plotësisht përpjekjet e Trump për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë

Nga A2 CNN
4 Qershor 2025, 18:08 | Bota

Rutte: NATO mbështet plotësisht përpjekjet e Trump për

NATO mbështet plotësisht përpjekjet e Presidentit Donald Trump për të “ndaluar gjakderdhjen me një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme” në Ukrainë, tha sekretari i përgjithshëm i saj.

Sipas mediave të huaja, duke folur në Bruksel përpara një takimi të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, Mark Rutte tha se grupi do të "përqendrohet në mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën, ndërsa ajo lufton kundër agresionit rus".

Ish-kryeministri holandez shtoi: “Mbështetja e NATO-s për Ukrainën nuk ka të bëjë me zgjatjen e luftës, por me sigurimin që Ukraina të mund të mbrohet tani dhe të parandalojë çdo agresion në të ardhmen.”

Ukraina ftohet në samitin e NATO-s

Rutte tha gjithashtu se Ukraina është ftuar në një samit të NATO-s në Hagë pas tre javësh, i cili sipas tij do të përqendrohet në një "rritje të madhe" të shpenzimeve të mbrojtjes dhe ku do të diskutohet lufta në Ukrainë.

Trump ka bërë presion për t’i dhënë fund luftës, me Ukrainën që ka pranuar një armëpushim të propozuar nga SHBA-të, të cilin Kremlini në fakt e ka refuzuar. Vladimir Putin e ka bërë të qartë se çdo zgjidhje paqeje duhet të jetë sipas kushteve të tij.

Përgjigja e NATO-s ndaj sulmit rus do të ishte 'shkatërruese'

Rutte tha se reagimi i NATO-s do të ishte "shkatërrues" nëse Putini do të sulmonte aleancën, shkruan A2 CNN.

"Ne jemi gjithmonë të përgatitur për çdo eventualitet dhe Vladimir Vladimirovich Putin duhet ta dijë se nëse do të përpiqet, reagimi ynë do të jetë shkatërrues. Dhe ai e di", tha ai, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos