
Prokurori i Përgjithshëm në detyrë i SHBA-së, Todd Blanche, ka tërhequr zyrtarisht planin e Presidentit Donald Trump për krijimin e një fondi që do të mund të përdorej për kompensimin e personave të ndjekur penalisht pas trazirave në Kapitol më 6 janar 2021.
Vendimi i Blanche pritet t’i hapë rrugën konfirmimit të tij nga Senati amerikan si Prokuror i Përgjithshëm në mënyrë të përhershme, pasi më herët republikanët nuk kishin siguruar votat e nevojshme për shkak të kundërshtimeve mbi këtë fond.
Në një postim në rrjetin social X, Blanche deklaroi se kishte zhvilluar takime me senatorë dhe anëtarë të komisioneve për të adresuar shqetësimet e tyre. Bashkë me postimin ai publikoi edhe urdhrin e firmosur, ku thuhet se “nuk ka Fond”.
Fondi i propozuar, me vlerë rreth 1.8 miliardë dollarë, ishte paraqitur si pjesë e një marrëveshjeje për zgjidhjen e një padie të ngritur nga Trump kundër Shërbimit të të Ardhurave të Brendshme (IRS), pas publikimit të deklaratave të tij tatimore.
Kritikët, përfshirë demokratë dhe disa republikanë, kishin ngritur shqetësime se fondi mund të përdorej për pagesa ndaj personave të dënuar për sulmin në Kapitol, përfshirë ata që kishin sulmuar efektivë të policisë.
Përveç fondit, debat shkaktoi edhe një pjesë e marrëveshjes që lidhej me kufizimin e auditimeve të IRS për Trumpin, familjen e tij dhe bizneset e tyre. Blanche sqaroi se kjo mbrojtje do të kufizohej vetëm te palët e përfshira në padinë konkrete. (A2 Televizion)