Rikthehet ideja për krijimin e një “NATO-je arabe”, ja shteti që do drejtojë

Nga A2 CNN
21 Shtator 2025, 20:03 | Bota

Rikthehet ideja për krijimin e një “NATO-je arabe”, ja

Qeveritë arabe po rifillojnë seriozisht diskutimet për krijimin e një force të përbashkët ushtarake, sipas raportimeve të The National. Projekti, i cili lindi në vitin 2015 me iniciativën e Egjiptit, ka rimarrë vëmendje pas sulmit të fundit të Izraelit ndaj zyrtarëve të lartë të Hamasit në Doha, Katar. Qëllimi fillestar i kësaj “NATO-je arabe” ishte të frenonte përhapjen rebelëve Huthi në Jemen, të cilët mbështeteshin nga Irani.

Megjithatë, plani fillimisht ngeci për shkak të mosmarrëveshjeve mbi komandimin dhe vendndodhjen e selisë kryesore. Në mungesë të një marrëveshjeje, Arabia Saudite formoi një koalicion ushtarak të përkohshëm për të vepruar në mënyrë autonome. Tani, Egjipti synon të rikthehet si fuqia drejtues e këtij projekti, duke propozuar që selia të vendoset në Kajro dhe komandanti i parë të jetë nga ushtria egjiptiane, më e madhja në botën arabe.

Sipas planit të ri, drejtimi i koalicionit do të funksionojë ne rotacion mes 22 vendeve të Ligës Arabe, ndërsa drejtimi politik do të mbetet te një sekretar civil i përgjithshëm. Kjo forcë do të përbëhej nga ushtria tokësore, detit dhe ajrit, përfshirë edhe njësitë elitë të specializuara në luftën kundër terrorizmit. Detyrat kryesore do të përfshinin operacione mbrojtëse dhe misione paqeruajtëse në rajonet arabe, shkruan A2 CNN.

Pjesëmarrja e çdo vendi do të varet nga kapaciteti i tij ushtarak, ndërsa për përdorimin e forcës kërkohet kërkesë formale nga shteti i prekur dhe miratimi i komandës së përbashkët pas konsultimeve me të gjithë anëtarët. Megjithëse Liga Arabe ka një traktat mbrojtjeje që nga 1945, ajo nuk ka arritur të krijojë një strukturë ushtarake të përhershme për shkak të mosbesimit dhe konflikteve të interesave.

Presidenti egjiptian Abdel Fattah El Sisi ka diskutuar këtë propozim me liderët e tjerë të rajonit, dhe në samitin arab-islamik të Dohas, të dielën e ardhshme, tema do të diskutohet më në thellësi për t’u përgjigjur “kërcënimeve ndaj sigurisë dhe stabilitetit të botës arabe”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos