Rrugët e ndryshuara të Iranit: Gjithnjë e më shumë gra po e braktisin hixhabin e detyrueshëm

Nga A2 CNN
19 Tetor 2025, 13:03 | Bota

Rrugët e ndryshuara të Iranit: Gjithnjë e më shumë gra

Gazetarja iraniane Zeinab Rahimi ka sfiduar ligjin për hixhabin e detyrueshëm për më shumë se dy vjet, duke iu bashkuar një numri të madh grash që refuzojnë ta mbajnë.

Protestat e vitit 2022 pas vdekjes së Mahsa Aminit shënuan një pikë kthese, duke sfiduar sundimin e klerikëve dhe ligjet për hixhabin.

Autoritetet iraniane kanë zbutur zbatimin e ligjit për hixhabin, ndërsa gratë në qytete të mëdha e sfidojnë hapur këtë rregull.

Gazetarja iraniane Zeinab Rahimi e ka shmangur bartjen e hixhabit të detyrueshëm për më shumë se dy vjet, pavarësisht rrezikut për t’u arrestuar dhe burgosur për një shpërfillje të tillë.

Ajo është në mesin e një numri gjithnjë e më të madh grash dhe vajzash që kanë hequr dorë nga bartja e shamisë së kokës në publik, duke i sfiduar haptazi sundimtarët klerikë të vendit.

“Më pëlqen t’i shoh gratë që vishen si të duan dhe që i shfaqin flokët e tyre”, i tha Rahimi Radios Farda të Radios Evropa e Lirë (REL), duke përshkruar ndryshimin e dukshëm në rrugët e Teheranit, kryeqytetit iranian.

“Nuk e kemi përjetuar këtë në vendin tonë prej shumë vitesh”, shtoi 22-vjeçarja.

“Është diçka e bukur kur nuk je e detyruar të mbulohesh, sidomos kur gjithmonë e ke urryer këtë gjë”, theksoi ajo.

Pika e kthesës

Pika kthese ishin protestat kundër regjimit që tronditën Iranin në vitin 2022, pas vdekjes në paraburgim të Mahsa Aminit, vajzës së re që ishte arrestuar për shkelje të ligjit për hixhabin.

Gratë ishin në ballë të protestave, gjatë të cilave disa hoqën dhe dogjën hixhabin e tyre. Demonstratat u shndërruan në kërcënimin më të madh ndaj autoriteteve për dekada me radhë, ndërsa disa protestues kërkuan fundin e sundimit klerikal.

Pas protestave, autoritetet fillimisht tentuan ta forconin zbatimin e ligjit për hixhabin, i cili është i detyrueshëm që prej Revolucionit Islamik të vitit 1979.

Vitin e kaluar, ligjvënësit konservatorë miratuan një ligj të ri dhe kontrovers për zbatimin e hixhabit, sipas të cilit shkelësit do të përballen me dënime të gjata me burgim, gjoba të majme dhe ndalim udhëtimi.

Por, duke iu druajtur shpërthimit të trazirave të reja, Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare të Iranit pezulloi zbatimin e ligjit për “Hixhabin dhe Dëlirësinë”.

Një anëtar i Këshillit të Përshtatshmërisë, që këshillon udhëheqësin suprem, tha këtë muaj se ligji i ri për hixhabin është i pazbatueshëm.

Më 3 tetor, Mohammad Reza Bahonar u tha gazetarëve se “në thelb nuk ka më ligj për hixhabin e detyrueshëm”.

Deklarata e tij shkaktoi zemërim mes konservatorëve, por gjithashtu theksoi realitetin në terren në qytetet e mëdha, ku autoritetet kanë zbutur ndjeshëm zbatimin e rregullave për hixhabin – një shtyllë themelore e republikës islamike.

Ndryshimet e pakthyeshme

Radio Farda foli me 12 gra në shtatë qytete iraniane, të cilat thanë se numri i grave që e heqin shaminë islame është rritur në rrugë, kafene dhe restorante gjatë viteve të fundit.

Rahimi, gazetarja iraniane, tha se gratë e kanë filluar heqjen e hixhabit dalëngadalë me kalimin e kohës.

Pas protestave të vitit 2022, gratë që nuk e mbanin hixhabin mbanin një shami në çantë ose të varur lirshëm në supe, në rast se u afrohej policia e moralit, e cila zbatonte ligjin për hixhabin, tregoi ajo.

“Sot, gratë dalin plotësisht pa shami”, tha Rahimi. “Nuk e veshin, nuk e mbajnë as në supe, as në çanta”.

Megjithatë, Rahimi tha se një numër i konsiderueshëm grash ende e mbajnë shaminë nga frika e ndëshkimit nga autoritetet.

Moszbatimi i ligjit për hixhabin është më i dukshëm në qytetet e mëdha. Por, edhe në qytetet dhe fshatrat më të vogla, qëndrimet ndaj të drejtave të grave - përfshirë lirinë për të zgjedhur çfarë të veshin - po ndryshojnë, dhe gratë po i sfidojnë autoritetet.

Një grua nga qyteti jugperëndimor i Jasuxhit, e cila foli në kushte anonimiteti, tha se “përqindja e grave që dalin pa hixhab në Jasuxh është shumë më e vogël se në Teheran, por banorët i shohin këto gra si të guximshme”.

Shumë gra iraniane besojnë se këto ndryshime janë të pakthyeshme.

“Ky ndryshim nuk mund të kthehet mbrapsht dhe as të kontrollohet”, tha për Radion Farda Mojgan Ilanlu, një regjisore nga Teherani që ka dokumentuar luftën e grave iraniane.

“Por, kjo nuk do të thotë se Qeveria e ka ndryshuar qëndrimin e saj ndaj hixhabit”, theksoi ajo.

Ilanlu shtoi se autoritetet janë “të detyruara të tërhiqen” përballë “vendosmërisë së grave iraniane që luftuan me mish e me shpirt për të drejtën e tyre për t’u veshur siç duan dhe që tani përpiqen të mbrojnë këtë arritje”.

“Autoritetet e dinë se, nëse përpiqen të rezistojnë, kjo do t’u kushtojë dhe do t’i dëmtojë thellësisht”, tha ajo./ REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos