“Orë të vështira”, Rama reagon pas protestës së dhunshme: S’janë duart e studentëve. Përgjegjësit do ta paguajnë

Nga A2 CNN
15 Tetor 2026, 08:09 | Politikë

“Orë të vështira”, Rama reagon pas protestës

Kryeministri Edi Rama ka reaguar një ditë pas protestës së dhunshme të zhvilluar në Tiranë, përmes një video-mesazhi nga godina e rrënuar e Kolegjit të Europës në Tiranë.

Kreu i qeverisë i konsideroi dëmet e dhunës si vepër të opozitës dhe jo të studentëve, duke theksuar se me këta të fundit qeveria është e gatshme të dialogojë dhe të gjejë zgjidhje.

Rama tha se orët që po kalon Tirana dhe Shqipëria janë të vështira, por paralajmëroi se gjithkush që ka dorë në këtë katrahurë do ta paguajë, pasi ligji nuk është larg.

 “Kjo është rrënoja e duarve që nuk janë dhe s’mund të jenë duart e studentëve. Studentët janë e ardhmja dhe ata që shohin larg. Studentët janë të mirëpritur dhe me ta ne jemi gjithnjë gati të ulemi të flasim, të diskutojmë dhe të jepen zgjidhje për gjërat që kërkojnë zgjidhje. Këto janë duart që përpiqen ta ulin poshtë Shqipërinë, sa herë që Shqipëria përpiqet të shkojë lart. Këto janë duart e një opozite e cila me maska të verbërish përpara, me zjarr dhe me hekur, kërkon ta rikthejë Shqipërinë aty ku Shqipëria nuk të rikthehet më. Kërkojnë ta rikthejnë Shqipërinë në humnerën nga ku ne të gjithë së bashku e nxorëm, dhe po e ngjisim drejt majës historike, drejt ëndrrës së të gjithë shqiptarëve në breza, BE”, tha Rama.

“Qëlloi që kjo zyrë e Kolegjit të Europës, shkollës së gjeneratës së re të europianëve, të jetë sot simboli i gjithçkaje që Tirana dhe Shqipëria panë, dhe po shohin në këto orë të vështira. Por janë orë që do t’i kalojmë së bashku sepse Shqipëria do të vazhdojë të ngjitet, në rrugën e saj për Europën dhe kurrë më s’do bjerë në ato duar që e kanë kapur për fyti opozitën, por kurrë s’mund ta kapin për fyti Shqipërinë. Kush mendon që ligji është larg gabon. Gjithkush që ka dorë në këtë katrahurë do të paguajë, sepse Shqipëria s’do kthehet më kurrë pas”, u shpreh ai.

Mesazhi i Ramës vjen në një ditë kur Parlamenti do të mbajë seancë rreth orës 10:00, ku është paralajmëruar një tjetër protestë, nga studentët dhe gjimnazistët.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos