Rindizet konflikti i rrezikshëm. Përse Tajlanda dhe Kamboxhia po luftojnë në kufi?

Nga Rosalba Bejdo
9 Dhjetor 2025, 23:02 | Bota

Përplasjet mes Tajlandës dhe Kamboxhias janë rindezur në disa zona përgjatë kufirit të diskutueshëm, me të dyja palët që akuzojnë njëra-tjetrën. Tajlanda ka kryer sulme ajrore mbi ato që i quajti objektiva ushtarake kamboxhiane. Ky shpërthim i fundit është një test i madh për armëpushimin e arritur në korrik me ndërmjetësimin e Presidentit amerikan Donald Trump.

Konflikti shpërtheu para agimit të së hënës së 8 dhjetorit me përleshje në pesë zona kufitare, sipas ushtrisë së Tajlandës. Ministria e Mbrojtjes në Kamboxhia tha se forcat e saj u sulmuan, por nuk u kundërpërgjigjën dhe po respektojnë armëpushimin pas “shumë veprimeve provokuese” të Tajlandës.

Ushtria tajlandeze deklaroi gjithashtu se trupat e saj u sulmuan dhe akuzoi Kamboxhian për sulm me raketa BM-21 të vendosura në kamion drejt zonave civile, shkruan A2. Ajo shtoi se forcat kamboxhiane kanë përdorur granatahedhëse, artileri dhe dronë për të hedhur eksploziv mbi bazat tajlandeze. Forca ajrore e Tajlandës bëri të ditur se avionët luftarakë nisën sulme ajrore herët në mëngjes, duke synuar objektiva ushtarake, bazuar në vlerësimet operative që treguan se Kamboxhia kishte mobilizuar armë të rënda dhe kishte zhvendosur njësitë luftarake.

Sulmet ajrore kishin për qëllim të shërbenin si paralajmërim për të parandaluar përshkallëzimin dhe për të ulur kapacitetet ushtarake të Kamboxhias, sipas forcës ajrore të Tajlandës. Tajlanda njoftoi se 380,000 persona po zhvendoseshin në strehime, ndërsa autoritetet kamboxhiane thanë se 1,157 familje po evakuoheshin nga provinca Oddar Meanchey. Kryeministri i Malajzisë, Anwar Ibrahim, që ndihmoi në ndërmjetësimin e armëpushimit të parë, ka bërë thirrje për vetëpërmbajtje për të parandaluar shkatërrimin e armëpushimit. 

Greg Poling, ekspert i CSIS, u shpreh: “Pati sulme ajrore të Tajlandës mbi territorin kamboxhian, si kundërpërgjigje ndaj asaj që Tajlanda e quan një sulm të paprovokuar të Kamboxhias një ditë më herët, ku u vra një ushtar tajlandez. Të dy palët kanë civilë të plagosur. Problemi është se, që prej verës, palët tregojnë histori krejt të ndryshme. Kamboxhia mohon se ka nisur ajo sulmin. Dhe pa ndonjë mekanizëm ndërkombëtar për verifikim, është jashtëzakonisht e vështirë të gjykohet nga jashtë se kush thotë të vërtetën.” 

Përleshjet e reja janë më seriozet që prej shkëmbimit pesë-ditor të raketave dhe artilerisë së rëndë në korrik, që shënoi përplasjet më të këqija kohet e fundit. Të paktën 48 persona u vranë dhe 300,000 u zhvendosën përpara ndërhyrjes së Trump për të arritur një armëpushim. Nuk është menjëherë e qartë se çfarë i shkaktoi trazirat e fundit, por tensionet janë rritur që prej 10 nëntorit, kur një ushtar tajlandez u plagos nga një minë tokësore, gjë që bëri që Tajlanda të pezullojë masat e de-eskalimit të dakorduara disa javë më parë në Malajzi, në praninë e Trump. Tajlanda thotë se mina ishte një nga disa të tilla të vendosura së fundmi nga Kamboxhia dhe se nuk do të rinisë masat e de-eskalimit derisa Kamboxhia të kërkojë falje.

Kamboxhia ka mohuar përsëri akuzat. Trump, për të cilin Kamboxhia e nominoi për Çmimin Nobel për Paqe, u bëri thirrje liderëve të të dy vendeve muajin e kaluar që të respektojnë armëpushimin. 

“Shpërthimi i fundit ka qenë duke u  ndërtuar prej javësh. Luftimet nisën me një përplasje pesëditore në korrik, ku u vranë dhjetëra persona, kryesisht kamboxhianë. Më pas u arrit armëpushimi i ndërmjetësuar nga Malajzia dhe i forcuar më tej nga ndërhyrja e presidentit Trump. Por, që prej asaj kohe ka qenë shumë i brishtë, sidomos pasi një ushtar tajlandez u plagos nga një minë tokësore – për të cilën Tajlanda vazhdon të akuzojë Kamboxhian. Duke qenë se Tajlanda e pezulloi zbatimin e armëpushimit prej javësh, kjo çoi në përshkallëzimin e ri të dhunës”, shpjegon Poling.

Por, ku e ka origjinën konfilikti mes dy vendeve?

Tajlanda dhe Kamboxhia kanë kontestuar sovranitetin mbi pika të ndryshme të pacaktuara të kufirit të tyre tokësor prej 817 km për më shumë se një shekull. Kufiri u përcaktua fillimisht nga Franca në vitin1907, kur Kamboxhia ishte koloni franceze. Kjo hartë, të cilën Tajlanda e kundërshtoi më pas, ishte bazuar në një marrëveshje që kufiri të demarkohej sipas vijës natyrore të ujërave. Në vitin 2000, vendet ranë dakord të krijonin një komision për të adresuar paqësisht pretendimet e përbashkëta, por pak progres është bërë. Pretendimet për pronësinë e vendeve historike kanë rritur tensionet nacionaliste, sidomos në vitin 2003, kur turmat dogjën ambasadën tajlandeze dhe bizneset e Tajlandës në Phnom Penh për shkak të një deklarate të një personazhi të famshëm tajlandez që sfidoi juridiksionin mbi tempullin e Angkor Wat të Kamboxhias, të regjistruar nga UNESCO.

Tempulli hindu i shekullit të 11-të Preah Vihear, ose Khao Phra Viharn në Tajlandë, ka qenë në qendër të mosmarrëveshjeve, me të dy vendet që pretendojnë pronësinë historike. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ia dha tempullin Kamboxhias në vitin 1962, por Tajlanda vazhdoi të pretendonte tokën përreth. Tensionet u rritën në vitin 2008 kur Kamboxhia përpiqej ta regjistronte tempullin në UNESCO, duke sjellë përleshje dhe dhjetëra viktima, përfshirë shkëmbime zjarri një javë më vonë në 2011. 

Greg Poling thotë: “Si për shumë gjëra në Azinë Juglindore, në fund fare faji i mbetet Francës. Konflikti lidhet me një mosmarrëveshje se ku kalon kufiri tokësor, sidomos rreth tempujve dhe zonave të ndjeshme kulturore. Në bazë është një hartë që autoritetet franceze në Indokinë ia imponuan Mbretërisë së Siamit mbi 100 vjet më parë. Tajlanda e ka kundërshtuar gjithmonë. Në disa raste problemi është aq absurd, saqë të dy palët përdorin harta me shkallë të ndryshme, njëra më e detajuar, tjetra më e përgjithshme, dhe kështu kufiri mund të zhvendoset deri në 100 metra sipas hartës që përdoret”. 

Ndjesitë nacionaliste u rritën në Tajlandë në vitin 2024, kur konservatorët sfiduan planin e qeverisë për të negociuar me Kamboxhian për eksplorimin e përbashkët të burimeve energjetike detare, duke paralajmëruar se kjo mund të rrezikonte humbjen e territoreve ishullore. Në maj, një ushtar kamboxhian u vra nga forcat tajlandeze gjatë një përleshjeje të shkurtër, duke çuar të dy vendet të rrisin trupat në kufi. Rreth të njëjtës kohë, Kamboxhia iu drejtua Gjykatës Ndërkombëtare për mosmarrëveshjet mbi tempujt në katër zona. Tensionet kufitare çuan në rrëzimin e kryeministres tajlandeze Paetongtarn Shinawatra, e cila u shkarkua nga gjykata në gusht pas një telefonate kontraverse me ish-kryeministrin kamboxhian Hun Sen.

“Ka përpjekje nga Malajzia dhe mbetet për t’u parë nëse amerikanët do të ndërhyjnë sërish, nëse Presidenti Trump do t’i marrë sërish në telefon liderët e dy vendeve për të shpëtuar armëpushimin. Por, kjo nuk është marrëveshje paqeje, është thjesht armëpushim, që nuk adreson problemet e thella. Kjo e bën natyrshëm shumë të brishtë. Situata ndodh edhe në kohë nacionalizmi të lartë në të dy vendet. Kryeministri tajlandez është kryeministër kujdestar, në prag zgjedhjesh, ndaj ka presion të mos duket i dobët apo i nënshtruar ndaj amerikanëve. Kjo nxit një cikël përshkallëzimi nga i cili është shumë e vështirë të dilet”, thekson Poling. 

Tajlanda ka një ushtri të madhe dhe të financuar mirë, shumë më të fuqishme se ajo e Kamboxhias. Kjo e fundit ka 75,000 ushtarë, mbi 200 tanke dhe rreth 480 njësi artilerie. Ndërkohë, Tajlanda numëron 245,000 ushtarë, rreth 400 tanke, mbi 1 200 mjete të blinduara e 2 600 armë artilerie. Sa i përket forcave ajrore, Tajlanda ka afërsisht 40 avionë luftarakë dhe dhjetëra helikopterë; Kamboxhia ka 16 helikopterë me role të ndryshme, por nuk ka avionë luftarakë.

“Kamboxhia është tej mase e nënshtruar në aspektin ushtarak. Sulmet ajrore të Tajlandës u kryen me F-16 amerikanë të gjeneratës së katërt – Kamboxhia nuk ka asgjë të ngjashme. Ajo ka vetëm disa sisteme të kufizuara kundërajrore, kryesisht kineze, të cilat ose nuk janë përdorur, ose nuk kanë qenë efektive”, deklaron Poling. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos