
Një zyrtar i lartë i Gardës Revolucionare të Iranit ka bërë thirrje për tërheqjen e forcave izraelite nga jugu i Libanit, ku ushtria e Izraelit po zhvillon operacione tokësore kundër grupit të armatosur Hezbollah.
Esmail Qaani, përfaqësues i Forcës Quds, deklaroi se mbështetja për atë që ai e quajti “rezistenca në Liban” është detyrë e çdo myslimani dhe se largimi i Izraelit nga rajoni mbetet një objektiv i arritshëm.
“Kërkesa minimale e rezistencës është tërheqja e regjimit uzurpator dhe kthimi i tij në pozicionet që kishte para fillimit të luftës”, u shpreh Qaani në një mesazh publik.
Deklarata vjen në një kohë kur përplasjet mes Izraelit dhe Hezbollahut vazhdojnë të rrisin tensionet në Liban, ndërsa Irani mbetet një nga mbështetësit kryesorë të grupit libanez. (A2 Televizion)