Rusia do të mund të dislokojë anëtarët e rezervës aktive për të luftuar në Ukrainë në bazë të ndryshimeve të reja ligjore që janë mbështetur nga Ministria e Mbrojtjes.
Amendamentet e propozuara vijnë në kohën kur Rusia po vazhdon të pësojë humbje të mëdha në Ukrainë. Sipas vlerësimeve perëndimore, numri i të vrarëve dhe të plagosurve nga ana e Rusisë ka arritur në mbi 1 milion, që kur Moska nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Ndryshimet, të cilat pritet të miratohen nga Parlamenti rus, do t’i mundësonin po ashtu presidentit rus, Vladimir Putin, që të shmangte një mobilizim tjetër. Mobilizimi i pjesshëm që ai shpalli në shtator 2022 ishte gjerësisht jopopullor.
Po ashtu, ndryshimet ligjore do t’i mundësonin Rusisë që të zgjerojë forcat e saj në një mënyrë më të lirë krahasuar me përdorimin aktual të stimujve të mëdhenj financiarë për vullnetarët që nënshkruajnë kontrata për të luftuar, sipas Institutit për Studime të Luftës me seli në Uashington.
Sipas ligjvënësve rusë, aktualisht janë afër 2 milionë anëtarë në rezervën aktive.
Sistemi ekzistues i rekrutimit në Rusi ka të ngjarë të ketë “arritur në pikën e thyerjes dhe po e detyron Kremlinin që të aplikojë një qasje tjetër përmes mobilizimit të detyrueshëm dhe të vazhdueshëm të rezervistëve, për të ruajtur fuqinë njerëzore përballë shkallës së lartë të viktimave në Ukrainë”, tha instituti.
Rezervistët, të cilët iu nënshtrohen trajnimeve të përvitshme ushtarake dhe paguhen për të qenë pjesë e rezervës aktive, do të marrin pagë shtesë nëse thirrje për të luftuar sipas kushteve të reja në ndryshimet ligjore.
“Deri më tani, ky potencial ka mundur të shfrytëzohet vetëm gjatë periudhës kur ka qenë në fuqi vendimi për gjendje lufte apo gjatë mobilizimit. Ne jemi të angazhuar në operacione shumë reale dhe në operacione luftarake në shkallë të gjerë... por, zyrtarisht luftë nuk është shpallur”, tha Aleksei Zhuravlev, nënkryetar i Komitetit parlamentare të Mbrojtjes.
Përveç shmangies të një mobilizimi të ri, Kremlini po ashtu ka shmangur që ta quajë “luftë” pushimin e Ukrainës, duke përdorur eufemizmin “operacion i posaçëm ushtarak”.
Kur të miratohen ndryshimet, Kremlini me gjasë do të zbatojë një mobilizim të pjesshëm pa shpallur zyrtarisht luftë ose pa shpallur publikisht thirrje të detyrueshme për luftë, tha instituti.
Putin po ashtu do të ketë mundësinë që të dislokojë rezervistë jashtë territorit rus, përfshirë në rajonet ukrainase Sumi dhe Harkiv, tha Andrei Kartapolov, kreu i Komitetit të Mbrojtjes.
Rusia ka rritur numrin e forcave të saj në Ukrainë duke përdorur luftëtarë të huaj nga Koreja e Veriut dhe ka përdorur reklama për rekrutim në rrjetet sociale për të rekrutuar njerëz nga Kuba, në këmbim të pagesës./REL (A2 Televizion)