Gazetari Mentor Nazarko kërkoi një ndërhyrje edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për të qetësuar situatën e protestave në Shqipëri.
“Do të ishte e arsyeshme që zoti Albin Kurti, që është me siguri figurë popullore mes studentëve, mes të rinjve të Shqipërisë, të bëjë thirrjen e Rugovës. Të bëjë thirrje për qetësi, t'i ngjajë Rugovës në vitin 1996”, tha Nazarko në një lidhje direkte me studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
Më tej, ai theksoi se “qeveria e ka keqinterpretuar protestën e 135 ditëve” dhe se “duhet të ishin bërë ndryshime të mëdha”.
“Unë kam vetëm një vijë në të cilën e kam ndërtuar gjykimin tim gjatë këtyre ditëve që është: mos i hidhni benzinë zjarrit se ka mjaftueshëm. Qeveria e ka keqinterpretuar protestën e 135 ditëve. Duhet të ishin bërë ndryshime apo fillesë për ndryshime të mëdha. Nuk e ka kuptuar as edhe elita jonë ekonomike, e cila mund të rrëzohet bashkë me qeverinë, bashkë me Ramën, që duhet të heqë dorë nga ato fitimet e veta maksimale në të gjithë sektorët, në tendera, në rrugë, në ndërtim, në ushqime, në naftë apo në sektorë të tjerë, sepse ato e kanë nxitur këtë frustrim ekstrem që po ndihet tek shoqëria”, shtoi Nazarko.
(A2 Televizion)