Ilir Alimehmeti, anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike, iu drejtua protestuesve duke i ftuar që të mos ngurrojnë për të themeluar një parti politike.
“Që në fillim të protestës, në qershor, kam thënë hapur se nëse kërkojnë angazhim politik, të mos kenë tabu dhe ngurrim. Kërkesat që kanë janë politike dhe ta mendojnë themelimin e forcës politike nëse dëshirojnë. Është e drejta e gjithkujt ta bëjë këtë gjë. Unë u kam thënë që unë i jap edhe firmën që duhet për të krijuar partinë”, tha Alimehmeti në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
Anëtari i Kryesisë së PD-së shtoi se protestuesit e kanë ofruar zgjidhjen: “Dorëheqja e Edi Ramës, qeveri teknike dhe Reformë Zgjedhore për të shkuar në zgjedhje të ndershme”.
“Sot nuk ka shans asnjë i ri të vihet para kësaj makinerie. Vetëm me vullnet politik të madh e të ndërmjetësuar, atëherë të rinjtë do të kishin shanse. Përndryshe, ky vend do të shkojë rrokopujë, siç po shkon sot. Ky vend është drejt anihilimit. Kërkesat e protestës janë të qarta dhe unë i kam mbështetur që në fillim”, u shpreh Alimehmeti. (A2 Televizion)