Takimi me socialistët e Tiranës, Rama: Hap i nevojshëm në përgatitjen e sezonit të ri politik

Nga A2 CNN
29 Gusht 2026, 18:39 | Politikë

Takimi me socialistët e Tiranës, Rama: Hap i nevojshëm në

Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar një hap të nevojshëm për sezonin e ri politik mbledhjen që pati me drejtuesit politikë dhe deputetët e Tiranës këtë të shtunë.

“Me deputetët dhe drejtuesit e tjerë të njësive organizative të Partisë Socialiste të Qarkut Tiranë, patëm sot një diskutim të dobishëm për organizimin e Pranisë Besnike, metodologjinë e BESËS dhe sistemin e ri të PasqyrAlbania, duke hedhur një hap të nevojshëm në përgatitjen e sezonit të ri politik të Partisë Socialiste”, shkroi ai shkurtimisht në Facebook, përcjell A2 CNN.

Takimi u zhvillua në një nga restorantet në periferi të kryeqytetit. Ai vjen pas mbledhjeve të shumta që ka bërë Rama me ministrat dhe drejtuesit politikë për strategjinë e re të PS-së për sjelljen me qytetarët para zgjedhjeve vendore.

Ky takim vjen një ditë pasi Veliaj, nga paraburgimi, la Bashkinë e Tiranës pa një kryetar të komanduar, duke ia hequr këtë kompetencë nënkryetares Anuela Ristani, shkruan A2CNN.

Për Bashkinë e Tiranës ka nisur një debat në radhët e socialistëve se kush do të jetë kandidat i kësaj force politike për zgjedhjet e 2027-ës. Përpos Ogerta Manastirliut, emri i të cilës u propozua nga Edi Rama shtatorin e shkuar, është vetëofruar edhe Erion Braçe.

Deputeti i Tiranës vazhdimisht bën thirrje për një proces gare brenda partisë për të zgjedhur kandidatin që do të përfaqësojë PS-në në bashkinë më të madhe në vend. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos