Kimioterapi ditore në Vlorë, mjekët kërkojnë edhe rritje të fuqisë së stafit në rrethe

Nga A2 CNN
29 Gusht 2026, 17:13 | Sociale

Kimioterapi ditore në Vlorë, mjekët kërkojnë edhe

Kur mori frenat e Ministrisë së Shëndetësisë, Evis Sala deklaroi se sfida e saj kryesore do të ishte transformimi i Shërbimit Onkologjik. Pas Korçës, u hap edhe në Vlorë qendra ditore e kimioterapisë, ndërsa po punohet për një të tillë edhe në Shkodër, Lezhë dhe Fier. Ministrja Sala tha se afrimi i shërbimit me pacientin është një nga prioritetet e reformës në fushën e onkologjisë.

“Më pak se një vit më parë mora angazhimin që onkologjia të ishte në qendër të vëmendjes, si një nga reformat kryesore të mia si ministre e Shëndetësisë, por edhe si mjeke me një karrierë të gjatë në fushën e onkologjisë. Bëmë realitet ato që premtuam. Ngritëm Institutin Kombëtar të Tumoreve dhe përforcuam rrjetin onkologjik. Qendra në Vlorë është qendra e tretë e rikualifikuar dhe puna do të vijojë me qendrat e tjera, me synimin për ta përfunduar këtë proces brenda vitit 2027”, tha ministrja.

Jo vetëm diagnostikimi dhe trajtimi, por ministrja Sala e cilësoi edhe komunikimin mes mjekut dhe pacientit si pjesë të rëndësishme të cilësisë së shërbimit shëndetësor. “Ne, si mjekë dhe profesionistë të shëndetësisë, nuk duhet të lëmë asnjë pyetje pa përgjigje. Duhet të kemi durimin t’u shpjegojmë pacientëve të gjithë informacionin që u nevojitet”.

Për forcimin e shërbimit onkologjik në vend po punohet për standardet e organizimit të Rrjetit Kombëtar Onkologjik, infrastrukturën, pajisjet dhe barnat. Është ngritur Qendra e Gjirit dhe pritet edhe vendosja e akseleratorit të katërt. Ndërsa gama e barnave onkologjike, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, është zgjeruar me 23%. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos