Dokumentin që Erjon Veliaj firmosi nga qelia në Durrës, për t’i hequr kompetencat kryebashkiakes Samuela Ristani, Sali Berisha e shikon si konflikt mes tyre. Fillimi i hapur i sulmit të Erjon Veliajt ndaj tij.
Në shkresë, Veliaj nuk ka komanduar një tjetër emër dhe këtë kryetari i Partisë Demokratike thotë se e ka të qëllimshme. “Dil në mejdan të të tregojë se sa vlen. Nuk ke punë. Pra, sa më shumë të shkërmoqen, t’i nxjerrin sytë njëri-tjetrit, aq më shumë e meritojnë”, tha Berisha.
Madje, zhvillimet kryeopozitari i konsideron si rënie të kryesocialistit, se Edi Rama “po bëhet një kalë i ngordhur, që dalin tani t’ia heqin dhe pa të qarë”.
Në komunikim me ndjekësit në rrjetet sociale, Sali Berisha tha se arrestimi i Ergys Agasit ishte i koordinuar, duke shtuar se iu hoq akuza e pengmarrjes. “Heqje lirie janë dy gjëra, dy kategori, të cilat kanë vepra penale me dallim të madh në penalitet”.
Madje, edhe vendosja në qelitë e Bradasheshit, sipas Berishës, është bërë me marrëveshje. “Çoje në burgun që kontrollohet totalisht nga Taulant Balla, Sara Mila dhe karteli Çela. Muajin e fundit, Troplinët e përzunë ose i hoqën mbrojtjen”.
Ndryshe nga daljet e tjera, Berisha konfirmoi se do të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për në Konferencën e Republikanëve dhe për këtë po bën gati agjendën e takimeve. “Nuk kam fiksuar, por shpresoj që t’i fiksoj gjatë ditëve të ardhshme”.
Ndërsa foli për përçarjen në Partinë Socialiste, Berisha shtoi se, nga ana tjetër, Partia Demokratike po vazhdon ripërtëritjen. (A2 Televizion)