“Grindje” për pozicionet e ushtrisë në Gaza, Trump pret sërish Netanjahun në zyrën ovale, takim mbi 1 orë

Nga Xhevahir Qardaku
9 Korrik 2025, 11:33 | Bota

Pas darkës së “Nobelit”, kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, u kthye sërish në Shtëpinë e Bardhë. Kësaj here në një takim me dyer të mbyllura me presidentin amerikan, Donald Trump.

Ata folën në Zyrën Ovale kryesisht për Gazën, ndërsa raportohet se Izraeli dhe Hamasi janë afër sheshimit të dallimeve mbi një marrëveshje për armëpushimin.

Netanjahu u largua nga Shtëpia e Bardhë pas më shumë se një ore bisedimesh me Trump, ndërsa nuk dha asnjë deklaratë për mediat. Megjithatë, bëri këtë adresim në rrjete sociale.

“Ne u përqendruam në përpjekjet për të siguruar lirimin e pengjeve tona. Ne nuk do të heqim dorë nga kjo për asnjë moment, dhe kjo është bërë e mundur falë presionit ushtarak të ushtruar nga ushtarët tanë heroikë. Fatkeqësisht, kjo përpjekje vjen me një kosto të dhimbshme - humbjen e bijve tanë më të mirë. Por ne jemi të vendosur të arrijmë të gjitha objektivat tona: lirimin e të gjithë pengjeve tona - si të gjallëve ashtu edhe të rënëve, eliminimin e aftësive ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit, dhe në këtë mënyrë të sigurohemi që Gaza nuk do të përbëjë më kërcënim për Izraelin. Ne diskutuam gjithashtu implikimet dhe mundësitë që rrjedhin nga fitorja e madhe që arritëm ndaj Iranit. Kjo hap mundësi për të zgjeruar rrethin e paqes, për të zgjeruar Marrëveshjet e Abrahamit”, tha Netanjahu.

Netanjahu, shtoi se i përcolli Trumpit mbështetjen e plotë të Izraelit për të gjitha veprimet që ka ndërmarrë në Lindjen e Mesme.

Disa media amerikane raportojnë se ka ende shumë dallime mbi një marrëveshje të mundshme paqeje në Gaza, ku çështja që po mban peng uljen e armëve është ajo e tërheqjes së ushtrisë së Izraelit nga toka Palestineze. Hamasi kërkon që IDF të tërhiqet në pozicionet që mbante para shkeljes së armëpushimit të kaluar, por Tel Avivi kundërshton.

Çështja e shpërndarjes së ndihmave humanitare rezulton të jetë e zgjidhur, pasi në ngarkim të tyre do të jetë Organizata e Kombeve të Bashkuara.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos