Samiti në Kopenhagë: Siguria dhe kërcënimet tradicionale e hibride

Nga A2 CNN
2 Tetor 2025, 17:09 | Bota

Samiti në Kopenhagë: Siguria dhe kërcënimet tradicionale e

Gjatë Samitit do të mbahen disa tryeza diskutimesh që përfshijnë situatën e sigurisë në Evropë, përfshirë edhe kërcënimet tradicionale dhe hibride, sigurinë ekonomike dhe migrimin.

Në Kopenhagë të Danimarkës, po mbahet Samiti i Komunitetit Politik Evropian, që mbledh 47 udhëheqës, përfshirë edhe presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Sipas Bashkimit Evropian, "udhëheqësit do të fokusohen se si të forcohet Ukraina, në situatën e përgjithshme të sigurisë në Evropë dhe për një situatë më të sigurt gjeopolitike me të cilën përballet kontinenti”.

Takime dhe konsultime të shumta

Gjatë Samitit do të mbahen disa tryeza diskutimesh për disa aspekte të situatës së sigurisë në Evropë, përfshirë edhe "kërcënimet tradicionale dhe hibride, sigurinë ekonomike dhe migrimin”, thuhet në njoftimin e BE-së. Bashkimi Evropian në këtë Samit përfaqësohet nga Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe takimi do të bashkëudhëhiqet nga kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen.

Në këtë takim po merr pjesë edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Sipas saj, "Komuniteti Politik Evropian synon t'i forcojë lidhjet politike dhe ekonomike në gjithë Evropën, të ofrojë zgjidhje për sfidat e përbashkëta dhe të thellojë bashkëpunimin ndërmjet vendeve të BE-së dhe atyre jashtë saj”.

Para nisjes së Samitit në Kopenhagë, Presidentja Osmani tha për gazetarët se "Rusia paraqet kërcënim për Evropën”, ndërkaq "Serbia për rajonin e Ballkanit Perëndimor”, duke e akuzuar Beogradin se i kopjon veprimet e Moskës.

Rreziku nga Serbia

"Serbia i trajton shtetet fqinje si shtete që nuk ekzistojnë, si shtete të përkohshme, si shtete ndaj të cilave ajo vepron me agresion. Është kopje e metodave të Rusisë. Fatkeqësisht, Rusia e përkrah Serbinë në këto veprime. Tradicionalisht dhe për shekuj të tërë, ata kanë përdorur një koncept të ngjashëm: Rusia flet për Rusinë e Madhe dhe Botën Ruse, Serbia për Serbinë e Madhe dhe Botën Serbe dhe përdorin të njëjtat metoda. Për ne të dyja paraqesin kërcënim”, tha Osmani.

Ndërkaq, lidhur me rajonin e Ballkanit Perëndimor, Presidentja Osmani tha se nëse nuk ka ndikim perëndimor, atëherë "forcat malinje të trekëndëshit të ligësisë që është Rusia, Kina dhe Irani, gjithmonë vijnë aty jo për bamirësi, por kanë interesa dashakeqës strategjikë. Prandaj është e rëndësishme që zgjerimi të shtyhet përpara dhe Ballkani Perëndimor, ato shtete të rajonit që i plotësojnë kriteret dhe punojnë me vlerat e BE-së, duhet të merren parasysh që të lëvizin përpara”.

Kosova ka kohë që ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Por, sipas Presidentes Osmani, "kërkesa nuk është trajtuar ende nga BE-ja për shkak të politikave të brendshme të disa shteteve anëtare”. Ajo thotë se Kosova do të vazhdojë të punojë që t'i bindë këto shtete "duke theksuar se rruga e vetme për Kosovën është anëtarësimi në BE dhe NATO”.

Kosova nën masa

Nga Ballkani Perëndimor, Kosova qëndron e fundit në rrugën evropiane, pasi është shteti i vetëm që nuk ka statusin e vendit kandidat. Ndryshe, Komuniteti Politik Evropian u lansua në vitin 2022, si ide e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.

Komuniteti Politik Evropian cilësohet si një Forum ndërqeveritar për diskutime politike lidhur me të ardhmen e Evropës. Në sesionin e shtatë që po mbahet në Kopenhagë të Danimarkës, udhëheqësit e 47 vendeve do të ndahen në tri grupe punuese ku do të diskutojnë për tema që kanë të bëjnë me sigurinë dhe rezistencën, kërcënimet tradicionale dhe të reja, sigurinë ekonomike, reduktimin e varësive evropiane dhe migracionin./ DW (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos