“S’do ta kesh të gjatë”, Izraeli bën gati planin për eliminimin e pasardhësit të Nasrallah

Nga Erjon Dervishi
30 Tetor 2024, 00:09 | Bota

“Lideri i ri i Hezbollahut, Naim Qassem, nuk do ta ketë të gjatë në krye të organizatës së financuar nga Irani”. Këtë fakt e ka bërë të ditur Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Yoav Gallant, në një postim në rrjetin social X, shkruan A2 CNN.

“Emërim i përkohshëm. Jo për shumë kohë”, shkruan ministri i Mbrojtjes i Izraelit me një foto të Qassem. Më herët, Hezbollahu i mbështetur nga Irani tha në një deklaratë me shkrim se Këshilli i tij kishte zgjedhur Naim Qassem, 71 vjeç, në përputhje me mekanizmin e tij të vendosur për zgjedhjen e një Sekretari të Përgjithshëm.

Qassem u emërua si zëvendës shefi i Hezbollahut në vitin 1991 nga Sekretari i Përgjithshëm i atëhershëm i grupit të armatosur, Abbas al-Musawi, i cili u vra nga një sulm me helikopter izraelit vitin e kaluar. Qassem mbeti në rolin e tij kur Nasrallah u bë lider dhe ka qenë prej kohësh një nga zëdhënësit kryesorë të Hezbollahut, duke dhënë intervista me media të huaja, duke përfshirë edhe armiqësitë ndërkufitare me Izraelin gjatë vitit të kaluar.

Sakaq, Hezbollahu ka lëshuar një sërë raketash nga Libani duke goditur një lagje në qytetin verior izraelit Maalot-Tarshiha, duke vrarë një person dhe duke dëmtuar shtëpi. Një breshëri prej rreth 50 raketash u hodhën përtej kufirit, duke ndezur sirenat e sulmit ajror dhe duke i dërguar banorët të vrapojnë për strehim, sipas ushtrisë izraelite.

Shtetet e Bashkuara paralajmëruan Iranin në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të hënën (28 tetor) për "pasoja të rënda" nëse ai ndërmerr ndonjë akt të mëtejshëm agresiv kundër Izraelit ose personelit amerikan në Lindjen e Mesme.

“Ne nuk do të hezitojmë të veprojmë në vetëmbrojtje. Le të mos ketë konfuzion. Shtetet e Bashkuara nuk duan të shohin përshkallëzim të mëtejshëm. Ne besojmë se ky duhet të jetë fundi i shkëmbimit të drejtpërdrejtë të zjarrit midis Izraelit dhe Iranit”, tha ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield.

Këshilli i Sigurimit u takua pasi Izraeli goditi fabrikat e raketave dhe vende të tjera në Iran para agimit të së shtunës. Ishte një hakmarrje për sulmin e 1 tetorit të Iranit ndaj Izraelit me rreth 200 raketa balistike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos