Separatistët në Pakistan marrin peng trenin, kërcënojnë të vrasin 500 pasagjerë

Nga A2 CNN
11 Mars 2025, 13:31 | Bota

Separatistët në Pakistan marrin peng trenin, kërcënojnë

Një tren me 500 pasagjerë është marrë peng nga separatistët nga Ushtria Çlirimtare Baloch në provincën Balochistan të Pakistanit jugperëndimor.

Këtë e bëjnë të ditur autoritetet lokale. Treni “Jaffar Express” ishte duke udhëtuar nga Peshawar për në Quetta kur u sulmua. Ushtria fillimisht ndërhyri, por u zmbraps nga separatistët të cilët lëshuan një paralajmërim.

“Nëse sulmi ajror nuk ndalet, ne do të vazhdojmë me vrasjen e pengjeve brenda orës së ardhshme”, tha zëdhënësi, Jeeyand Baloch.

Agresorët thuhet se hodhën në erë një linjë hekurudhore përpara se të hapnin zjarr mbi trenin. Drejtuesi i trenit u plagos dhe rojet e sigurisë në bordin e trenit u përpoqën të përgjigjeshin duke hapur zjarr, por pa rezultat.

Sulmi u mor përsipër nga Ushtria Çlirimtare e Balochistanit, një grup separatist që ka zhvilluar një kryengritje prej vitesh në Pakistan. Trenat në Balochistan zakonisht kanë personel sigurie në bord, pasi separatistët kanë kryer sulme vdekjeprurëse mbi trenat dhe forcat e sigurisë në rajon në të kaluarën.

Në nëntor, grupi separatist kreu një sulm vetëvrasës në një stacion hekurudhor në Quetta, duke vrarë 26 persona, përfshirë forcat e sigurisë, stafin hekurudhor dhe pasagjerët. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos