17 raste vrasjesh janë evidentuar në Kosovë vetëm gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026. Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, në nëntëmujorin e vitit 2025 janë regjistruar 19 raste, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2024 janë regjistruar 17 vrasje.
Shifrat tregojnë se vrasjet vazhdojnë të mbeten një problem serioz, ndërsa pyetja që shtrohet është se çfarë po e ushqen këtë fenomen dhe sa po arrijnë institucionet ta parandalojnë atë.
“Janë shumë faktorë. Si pikë e parë, mendoj që është faktori social. Pastaj edukimi, arsimimi, mungesa e sensibilizimit të duhur, mentaliteti i shoqërisë dhe një sërë faktorësh të tjerë. Shpesh përmendet edhe mentaliteti patriarkal, kur kemi të bëjmë me vrasjet e grave dhe vajzave”, tha avokati Jashari.
Përveç faktorëve shoqërorë, Jashari thotë se rol në këtë fenomen ka edhe politika ndëshkimore. Sipas tij, edhe pse gjykatat kanë shqiptuar dënime të rënda, përfshirë burgimin e përjetshëm në rastet e vrasjeve të grave, kjo nuk ka rezultuar e mjaftueshme për parandalimin e rasteve të reja.
“Shumë raste besoj që ishin parandaluar sikur shteti të reagonte më mirë. Po them shteti, e kam fjalën për mekanizmat e ndryshëm shtetërorë. Nëse një person është i dënuar për disa vepra penale dhe ai, në vend që të ishte në ekzekutim të dënimit me burgim, është i lirë dhe shteti nuk ka ndërmarrë veprimet e duhura, atëherë një pjesë e përgjegjësisë i mbetet shtetit.”
Se parandalimi i vrasjeve nuk është vetëm çështje e një institucioni, e thotë edhe Instituti i Kosovës për Drejtësi. Nga IKD-ja vlerësojnë se shteti ka detyrimin të veprojë në rastet kur ka informacione se jeta e një personi është në rrezik.
“Obligimet pozitive janë në situatat kur shteti e di ose është dashur ta dijë se një person i caktuar ka qenë në rrezik dhe, nëse do të vepronte brenda kompetencave të tij, rreziku do të binte. Në rast se në këtë situatë ndodh një vrasje, për të cilën shteti ka pasur dijeni ose është dashur të kishte dijeni dhe nuk ka vepruar, atëherë kemi shkelje të së drejtës për jetën nga ana e vetë shtetit.”
Një tjetër shqetësim që ngre Shala është edhe armatosja e qytetarëve në Kosovë. Sipas tij, politika ndëshkimore për rastet që lidhen me armëmbajtjen duhet të jetë më adekuate. Ai thekson se, për parandalimin e rasteve të tilla, është i domosdoshëm bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe shkëmbimi i shpejtë i informacioneve.
“Është shumë e rëndësishme që shteti, kur e ka një informacion, të veprojë me urgjencë në mënyrë që ta mbrojë jetën e qytetarëve. Veprimi nuk kufizohet në një institucion. Institucionet duhet të kenë bashkëpunim ndërinstitucional dhe shkëmbim të shpejtë të informacionit, për të ditur se ku është rreziku saktësisht, në mënyrë që të arrihet të parandalohet një vrasje e caktuar.”
Ekspertët vlerësojnë se ndryshimi i ligjeve nuk mjafton nëse zbatimi i tyre nuk shoqërohet me profesionalizëm dhe ndjeshmëri nga ana e institucioneve.
Ndërkohë, brenda më pak se një muaji, në katër raste të ndara në Kosovë, gjashtë persona humbën jetën si pasojë e vrasjeve. Këto raste rikthejnë në vëmendje nevojën për reagim institucional në kohë dhe marrjen e masave konkrete për parandalimin e tragjedive të tilla.
(A2 Televizion)