Policia ka zbardhur ngjarjen e rëndë të ndodhur në fshatin Godvi të Bulqizës, ku në rrethana misterioze humbi jetën bariu 62-vjeçar, Urim Fiku.
Fillimisht u raportua se shkak i vdekjes së tij kishte qenë një sulm nga një ari në pyll, por hetimet e policisë zbuluan se bëhej fjalë për një krim brenda familjes.
Blutë kanë arrestuar për vrasjen e 62-vjeçarit bashkëshorten e tij, 57-vjeçaren Sadete Fiku, dhe të birin, 33-vjeçarin Gazmir Fiku. Ata dyshohen se e kanë vrarë 62-vjeçarin me armë zjarri dhe mjete të forta prerëse.
Familjarët e viktimës e raportuan fillimisht ngjarjen në Polici si një sulm nga ariu, por pas verifikimeve dhe ekzaminimeve të kryera nga ekspertët e Mjekësisë Ligjore në Tiranë, rezultoi se viktima kishte marrë një plumb në gjoks.
Në cilësinë e provës materiale, policia sekuestroi një armë zjarri pistoletë, model 54, së bashku me fishekë, si dhe një gëzhojë pistolete, e gjetur në oborrin e banesës.
Ende nuk dihen motivet që dyshohet se çuan nënë e bir drejt vrasjes së kryefamiljarit. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë. (A2 Televizion)