Muajt e fundit, aleatët e NATO-s nuk i kanë ofruar Kievit mbështetjen e premtuar! Kështu u shpreh sekretari i përgjithshëm i aleancës ushtarake gjatë një interviste në vizitën e tij në Berlin.
Mes vonesave dhe hezitimit në dërgimin e ndihmave, Ukraina po përballet me humbje në fushëbetejë, teksa Rusia ka supermacinë ne tokë dhe ajër.
E megjithatë, shefi i NATO-s thekson se nuk është shumë vonë për një fitore të Ukrainës teksa, më shumë ndihma pritet të dërgohen së shpejti. “Është përgjegjësia jonë t’i përkthejmë premtimet në furnizime reale të armatimeve me municione dhe që ta bëjmë këtë sa më parë”, ishin fjalët e Stoltenberg. Në fjalimin e tij, shefi i NATO-s, i përcolli edhe një mesazh të fortë Kinës, duke i thënë si rrallëherë se nëse do marrëdhëniet e mira me Perëndimin duhet të ndalë mbështetjen për Rusinë.
“Vitin e kaluar, Rusia importoi 90% të mikro elektronikës së saj nga Kina, e përdorur për prodhimin e raketave, tankeve dhe avionëve. Kina thotë se dëshiron marrëdhënie të mira me Perëndimin, por në të njëjtën kohë vijon të ushqeje konfliktin më të madhe të armatosur në Europë që prej Luftës së Dytë Botërore. Nuk mund t’i bëjë të dyja”, tha Stoltenberg.
Në atë që u duk të ishte një reagim ndaj deklaratës së Stoltenberg, Pekini sulmoi Aleancën ushtarake Perëndimore, e cila siç tha, ka përgjegjësinë e drejtpërdrejtë për luftën në Ukrainë. Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme i bëri thirrje NATO-s të heqë dorë nga fajësimi i të tjerëve, ndërsa theksoi se Kina nuk po i ofronte armatime palëve të përfshira në konflikt. (A2 Televizion)