Koreja e Veriut mund të dërgojë trupa shtesë në Rusi për të luftuar në luftën e Moskës kundër Ukrainës në korrik ose gusht, dhe për më tepër është duke vazhduar ta furnizojë Rusinë me armë, thanë të enjten ligjvënësit koreanojugorë, duke cituar agjencinë e inteligjencës.
Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës (NIS) beson se Rusia mund të jetë duke u përgatitur për një sulm në shkallë të gjerë kundër Ukrainës në korrik ose gusht, tha për gazetarët deputeti koreanojugor, Lee Seong-kweun, pas një seance me dyer të mbyllura.
“Koha e dislokimit shtesë mund të jetë qysh në korrik ose gusht”, tha Lee, duke shtuar se agjencia përmendi një rund të ri të rekrutimit të trupave për dislokim nga Koreja e Veriut dhe një vizitë të fundit në Penian nga një zyrtar i lartë i sigurisë i presidencës ruse si bazë për vlerësimin e saj.
Në këmbim të dërgimit të municioneve të artilerisë dhe raketave nga Koreja e Veriut për në Rusi, Peniani ka shumë mundësi të marrë këshilla teknike për lëshimet satelitore dhe sistemet drejtuese të raketave, tha Lee, duke cituar NIS-in.
Pas muajsh heshtjeje, si Koreja e Veriut ashtu edhe Rusia e bënë publike zhvendosjen e trupave koreanoveriore dhe rolin që kanë luajtur ata në ofensivën e Moskës kundër Ukrainës për ta rimarrë rajonin e Kurskut.
Të dyja vendet kanë thënë se bashkëpunimi bazohet në traktatin e nënshkruar nga udhëheqësit e tyre në qershorin e vitit të kaluar, që përfshin një pakt të mbrojtjes së ndërsjellë./ REL (A2 Televizion)