Një avion i linjës American Airlines u detyrua të bëjë një ulje emergjente pasi njëri prej motorëve të tij mori flakë gjatë fluturimit.
Aeroplani, i cili ishte nisur nga aeroporti Harry Reid në Las Vegas dhe kishte si destinacion Charlotte, Karolina e Veriut, sapo ishte ngritur në fluturim të mërkurën në mëngjes, kur nga një motor filluan të dilnin flakë.
Në bord ndodheshin 153 pasagjerë dhe gjashtë anëtarë të ekuipazhit. Piloti ndërpreu menjëherë itinerarin dhe ktheu avionin në aeroport pasi pasagjerët vunë re flakët që dilnin nga motori.
Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë avionin duke lënë pas një re tymi të zi, ndërsa flakë shpërthejnë nga krahu i motorit.
Fatmirësisht, pas uljes së sigurt në aeroport, u krye një inspektim teknik, dhe asnjë person nuk mbeti i lënduar, sipas autoriteteve. (A2 Televizion)