
Presidenti Donald Trump ka thënë se SHBA-ja do t’i “zvogëlojë ndjeshëm” stërvitjet e përbashkëta ushtarake me Korenë e Jugut, duke përmendur “marrëdhënien e tij shumë të mirë” me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un.
Ai gjithashtu vuri në dukje në Truth Social se Koreja e Jugut së fundmi kishte refuzuar t’i bashkohej SHBA-së në “çarmatosjen bërthamore” të Iranit.
“Këto stërvitje nuk janë vetëm të kushtueshme, ku një pjesë e madhe e kostove paguhet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (si zakonisht!), por dërgojnë edhe një sinjal që është krejtësisht i papërshtatshëm dhe armiqësor”, shkroi Trump.
Seuli tha se stërvitjet me SHBA-në do të zhvilloheshin “sipas planit”. Pheniani ende nuk ka komentuar. Kjo vjen pasi Koreja e Veriut këtë muaj kreu prova me raketa balistike, të cilat janë të ndaluara nga Kombet e Bashkuara.
Trump tha në postimin e tij në rrjetet sociale të dielën se ishte “tepër vonë për t’i anuluar”, pasi SHBA-ja dhe Koreja e Jugut pritej të nisnin stërvitjet e tyre vjetore ushtarake të hënën.
Ai shtoi: “Edhe pse disi pa lidhje (?), së fundmi e pyeta Presidentin e Koresë së Jugut nëse do të donin të na bashkoheshin në çarmatosjen bërthamore të Republikës Islamike të Iranit, dhe ata thanë: ‘Jo, faleminderit!’”
Njoftimi i Trump erdhi më pak se 24 orë pasi ai publikoi një fotografi të vjetër të tij me Kim Jong Un nga viti 2019, duke shkruar se të dy ishin miq të shkëlqyer, “pavarësisht pamjes jo miqësore në këtë fotografi të veçantë”.
Ekspertët sugjerojnë se reduktimi i stërvitjeve të përbashkëta ushtarake mund të ketë një kosto të lartë, ndërsa përfitimet mund të jenë relativisht të vogla. (A2 Televizion)