
Një ditë pasi vizitoi aeroplanmbajtësen amerikane USS Abraham Lincoln, në një kohë kur janë shtuar shqetësimet për moralin e ekuipazhit, komandanti i Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), admirali Brad Cooper, deklaroi të dielën se anija aktualisht ka një nga numrat më të ulët të rasteve të lidhura me shëndetin mendor në mesin e 11 aeroplanmbajtëseve aktive të Marinës amerikane.
“Kjo nuk do të thotë se gjithçka është perfekte”, tha Cooper në një deklaratë. “Gjeni cilindo prej afro 4 milionë veteranëve të Marinës amerikane që jetojnë sot në SHBA dhe ka të ngjarë t’ju thotë se shërbimi në det për periudha të gjata nuk është për të gjithë. Është jashtëzakonisht sfidues dhe i vështirë, dhe secili prej nesh, përfshirë mua, reagon në mënyra të ndryshme ndaj faktorëve stresues.”
Cooper vizitoi USS Abraham Lincoln gjatë një udhëtimi 10-ditor në Lindjen e Mesme, në një kohë kur janë shtuar shqetësimet për shëndetin mendor të pjesëtarëve të ekuipazhit, përfshirë mendimet për vetëvrasje. Aeroplanmbajtësja ndodhet në një dislokim që ka zgjatur prej gati nëntë muajsh.
“Kam besuar prej kohësh se shëndeti mendor është një tjetër aspekt i shëndetit të individit dhe kërkon vëmendjen tonë, njësoj si shëndeti fizik dhe ai shpirtëror”, tha Cooper.
Ai u bëri thirrje marinarëve dhe marinsave në bord që të “vazhdojnë punën e shkëlqyer” dhe u uroi "dete të qeta” në udhëtimin e tyre drejt shtëpisë.
Aeroplanmbajtësja mbërriti në Lindjen e Mesme në janar dhe që atëherë ka mbështetur operacionet ushtarake amerikane kundër Iranit, përfshirë bllokadën ndaj porteve iraniane.
Angazhimi i saj në operacionet luftarake ka penguar ndalesat në portet e vendeve aleate, ku anijet e dislokuara zakonisht mund të rimbushin furnizimet dhe pjesëtarët e ekuipazhit mund të pushojnë.
Megjithatë, deklaratat e Cooper vijnë në një kohë kur zgjatja e dislokimit dhe mungesa e periudhave të rregullta të pushimit kanë rritur shqetësimet për gjendjen psikologjike të personelit në bord.
(A2 Televizion)