Bashkimi Europian kritikon Serbinë lidhur me kërcënimin ndaj Kosovës se do të ndryshojë rrjedhën e Ibrit. E pyetur nga gazetarët në konferencë për shtyp, zëdhënësja Anitta Hipper kërkoi nga Beogradi që të shmangë këtë lloj gjuhe apo veprimesh.
“Deklaratat, përfshirë ato për ndryshime të mundshme të rrjedhës së lumit dhe veprime të tjera, nuk mbështesin objektivin për vendosjen e një marrëdhënieje normale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo mund të arrihet vetëm përmes dialogut. Gjithashtu, rikujtojmë se përparimi në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është një parakusht që secila palë të mund të përparojë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian”, tha Anitta Hipper, zëdhënëse e BE.
Gazetari Luca Bertuzzi, që bëri pyetjen fillestare, ndërhyri sërish duke kërkuar nga zyrtarët e Bashkimit Europian një vlerësim nëse kjo sjellje agresive dhe kërcënuese e Serbisë ndaj Kosovës do të kishte pasoja në procesin e anëtarësimit, ashti siç Brukseli paralajmëroi Shqipërinë kur shpërthyen protestat publike, nëse Tirana nuk do të merrte parasysh aspektin ligjor dhe natyror në zbatimin e projektit në Zvërnec. Por BE-ja nuk ishte aq e prerë sa në rastin e Shqipërisë.
“Në përgjithësi, ne nuk spekulojmë për procesin e anëtarësimit. Fakti që themi diçka në një rast nuk do të thotë se duhet ta themi gjithmonë. Situatat janë të ndryshme. Nuk do të hyjmë në thelbin e dallimeve mes tyre, por puna jonë do të ishte shumë e thjeshtë nëse do të mund të jepnim të njëjtën përgjigje për çdo situatë”, deklaroi Arianna Podestà, zëdhënëse e BE.
BE-ja komentoi edhe rrënimet e fundit në zonën e Liqenit të Ujmanit, me të cilat presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e kishte lidhur deklaratën e tij për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit. Brukseli nënvizoi se tashmë i ka shprehur shqetësimet lidhur me atë rast. (A2 Televizion)