SHBA, gati për operacion tokësor në Iran? Trump: Mund të pushtojmë ishullin Kharg, Irani: Po ju presim

Nga Rosalba Bejdo
30 Mars 2026, 09:58 | Bota

Pak pasi foli për bisedime mes SHBA dhe Iranit, duke sugjeruar se një marrëveshje mund të jetë e afërt, presidenti amerikan Donald Trump ndryshoi narrativë dhe tha se mund të marrë naftën e Iranit dhe të konfiskojë ishullin e Kharg, nyjen më të rëndësishme të karburantit në vend, shkruan A2CNN.

“Të jem i sinqertë me ju, gjëja ime e preferuar është të marr naftën e Iranit, por disa njerëz budallenj në SHBA më pyesin se përse duhet ta bëj diçka të tillë. Por ata janë budallenj”, pohoi kreu i Shtëpisë së Bardhë në një intervistë për Financial Times. Ai sugjeroi se kjo lëvizje mund të nënkuptojë përvetësimin e ishullit të Kharg. “Ndoshta e marrim, ndoshta jo. Kemi shumë opsione”, shtoi më tej ai.

Komentet e presidentit vijnë teksa 3500 trupa të tjerë u dislokuan në Lindjen e Mesme, mes frikës se përshkallëzimi i mëtejshëm mund të ekspozojë forcat amerikane ndaj sulmeve të Iran.

Vetëm pak më herët, gjatë prononcimit për gazetarët në avionin e tij Air Force, presidenti Trump tha se ekipet negociuese nga SHBA dhe Irani po takoheshin në mënyrë direkte e indirekte dhe se udhëheqësit e rinj iranianë ishin treguar shumë të arsyeshëm.

“Sot kemi pasur negociata shumë të mira me Iranin, duke marrë shumë nga gjërat që duhet të na i kishin dhënë shumë kohë më parë. Do të shohim se si do të funksionojë, por janë shumë të mira. Po ecin shumë mirë. Forcat tona kanë shkatërruar shumë objektiva shtesë sot. Marina është zhdukur, Forcat Ajrore janë zhdukur, e dimë këtë. Por sot shkatërruam shumë, shumë objektiva. Ishte një ditë e madhe. Dhe po negociojmë me ta drejtpërdrejt dhe tërthorazi”, tha Trump.

Pakistani, i cili po vepron si ndërmjetësues mes Teheranit dhe Uashingtonit, tha se po përgatitej të organizonte bisedime serioze gjatë ditëve në vazhdim, me synimin për t’i dhënë fund luftës njëmujore. Nuk është e qartë nëse SHBA ose Irani kanë pranuar të marrin pjesë.

Por kryeparlamentari iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, sugjeroi se Trump po përdorte negociatat si kamuflim për planifikimin e një operacioni tokësor. Ai paralajmëroi se Irani nuk do të pranonte dorëzimin dhe se trupat e tyre po prisnin ushtarët amerikanë, ndaj të cilëve, siç tha, do të lëshonin “shi zjarri”.

Sipas The Wall Street Journal, Trump po vlerëson mundësinë e një operacioni ushtarak për të rekuperuar më shumë se 450 kilogramë uranium të pasuruar. Operacioni kompleks do të kërkonte futjen në Iran të forcave tokësore amerikane për disa ditë ose një periudhë më të gjatë.

Sulmet mes palëve kanë vijuar edhe gjatë orëve të fundit, me Israel që raportoi valë bombardimesh nga Irani, por edhe nga Jemeni.

Teksa lufta nuk jep sinjale zbutjeje, çmimi i naftës është rritur edhe më shumë, në 115 dollarë për fuçi. Ekspertët paralajmërojnë rritje edhe të çmimit të ushqimit, teksa vështirësohet eksporti i fertilizuesve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos