Marrëdhënia mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit është një nga historitë më të gjata, më të ndërlikuara dhe më shpërthyese të politikës ndërkombëtare moderne. Ajo nuk ka qenë kurrë lineare, as e qetë, por e ndërtuar mbi trauma historike, mosbesim të thellë dhe përplasje interesash që, dekadë pas dekade, e kanë afruar rajonin gjithnjë e më shumë drejt konfliktit të hapur. Për ta kuptuar përse sot SHBA dhe Irani flasin gjuhën e kërcënimeve, duhet të kthehemi më shumë se shtatë dekada pas, në një moment që për iranianët mbetet fillimi i gjithçkaje.
Në vitin 1953, Agjencia Qendrore e Inteligjencës e Shteteve të Bashkuara, në bashkëpunim me shërbimet britanike, ndihmoi në rrëzimin e kryeministrit të zgjedhur në mënyrë demokratike, Mohammad Mossadegh. Faji i tij ishte nacionalizimi i industrisë së naftës, një hap që prekte drejtpërdrejt interesat perëndimore. Grushti i shtetit riktheu në pushtet Shahun Mohammad Reza Pahlavi dhe mbolli një mosbesim të thellë ndaj Amerikës, i cili për shumë iranianë mbetet i gjallë edhe sot. Për Uashingtonin, Irani u shndërrua në një aleat strategjik në Lindjen e Mesme; për iranianët, Amerika u pa si fuqia që rrëzoi vullnetin e tyre politik, shkruan A2 CNN.
Për dekada, Shahu sundoi me mbështetjen e SHBA-së, duke ndërtuar një regjim autoritar, të modernizuar nga jashtë, por gjithnjë e më të shkëputur nga realiteti i brendshëm i vendit. Irani u pajis me armë amerikane, me teknologji ushtarake dhe madje me kapacitete bërthamore civile. Në vitet ’60, SHBA i dha Iranit një reaktor bërthamor dhe uranium të pasuruar, në një kohë kur askush nuk e imagjinonte se pikërisht bërthamori do të kthehej në thelbin e konfliktit. Por ndërkohë, pakënaqësia brenda vendit po rritej, dhe në fund të viteve ’70 ajo shpërtheu.
Protestat masive kundër Shahut, përplasjet e dhunshme në rrugë dhe represioni shtetëror e bënë të pashmangshëm rrëzimin e regjimit. Në janar 1979, Shahu u largua nga Irani nën masa të rrepta sigurie. Vetëm pak javë më vonë, Ajatollah Ruhollah Khomeini u kthye nga mërgimi dhe u prit nga turma gjigante, duke marrë drejtimin e Revolucionit Islamik. Me përmbysjen e Shahut, u rrëzua edhe rendi pro-amerikan në Teheran. Irani u shpall Republikë Islamike dhe Amerika u identifikua si armiku kryesor, simbol i ndërhyrjes, padrejtësisë dhe dominimit perëndimor.
Armiqësia u bë e pakthyeshme në nëntor të vitit 1979, kur studentë iranianë pushtuan ambasadën amerikane në Teheran dhe morën peng dhjetëra diplomatë. Pesëdhjetë e dy prej tyre u mbajtën për 444 ditë, një krizë që tronditi Shtetet e Bashkuara dhe i dha fund çdo iluzioni për një marrëdhënie normale. Presidenti amerikan Jimmy Carter e përshkroi pengmarrjen si një moment që bashkoi popullin amerikan kundër Iranit. SHBA ndërpreu marrëdhëniet diplomatike, ngriu asetet iraniane dhe vendosi sanksione që do të shënonin fillimin e një epoke të re përplasjesh.
“Asnjë veprim nuk e ka bashkuar kaq fuqishëm publikun amerikan drejt unitetit në dekadën e fundit sa mbajtja peng e njerëzve tanë në Teheran. Sot qëndrojmë si një popull i vetëm”, thoshte Jimmy Carter
President i SHBA.
Vitet që pasuan ishin të mbushura me tensione, luftëra të tërthorta dhe ngjarje që thelluan hendekun. Në vitin 1988, një anije luftarake amerikane rrëzoi gabimisht një avion pasagjerësh iranian mbi Gjirin Persik, duke vrarë të 290 personat në bord. Për Iranin, kjo ishte provë se jeta e civilëve të tij kishte pak vlerë për Uashingtonin. Për SHBA-në, incidenti u shpall një tragjedi e paqëllimshme. Por plagët politike dhe emocionale mbetën të hapura.
Pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, Irani u rikthye fuqishëm në fokusin e politikës amerikane. Në vitin 2002, presidenti George W. Bush e përfshiu Iranin në atë që ai e quajti “Boshti i së Keqes”, duke e akuzuar për mbështetje të terrorizmit dhe për përpjekje për të siguruar armë të shkatërrimit në masë. Pikërisht në këtë periudhë, programi bërthamor iranian u shndërrua në çështjen qendrore të përplasjes. Zbulimi i objekteve në Natanz, Isfahan dhe më pas Fordow ngriti alarmin në Perëndim dhe çoi në një regjim të ashpër sanksionesh që goditi rëndë ekonominë iraniane
“Shtetet si këto dhe aleatët e tyre terroristë përbëjnë një bosht të së keqes, duke u armatosur për të kërcënuar paqen e botës duke kërkuar armë të shkatërrimit në masë. Këto regjime paraqesin një rrezik të madh dhe në rritje. Ata mund t'i ofrojnë këto armë terroristëve, duke u dhënë atyre mjetet për të përballuar urrejtjen e tyre. Ata mund të sulmojnë aleatët tanë ose të përpiqen të shantazhojnë Shtetet e Bashkuara.", shprehej George W Bush.
Pas vitesh izolimi dhe presioni, në vitin 2015 u arrit ajo që u konsiderua një fitore e diplomacisë: marrëveshja bërthamore mes Iranit dhe gjashtë fuqive botërore. Teherani pranoi të kufizonte programin bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve.
Federicha Mogherini: Sot është një ditë historike. Është një nder i madh për ne të njoftojmë se kemi arritur një marrëveshje për çështjen bërthamore iraniane. Me guxim, vullnet politik, respekt të ndërsjellë dhe udhëheqje, ne realizuam atë që bota po shpresonte. Një angazhim të përbashkët për paqen dhe për të bashkuar duart në mënyrë që ta bëjmë botën tonë më të sigurt.
U duk për një moment se një kapitull i ri po hapej. Por shpresa zgjati pak. Në vitin 2018, presidenti Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja, duke e quajtur atë të dështuar dhe duke rikthyer sanksione shkatërruese për Iranin. Tensionet u përshkallëzuan më tej në vitin 2020, kur SHBA vrau gjeneralin Qassem Soleimani, figurën më të fuqishme ushtarake të Iranit dhe arkitektin e ndikimit iranian në Lindjen e Mesme. Teherani u zotua për hakmarrje, ndërsa rajoni u gjend në prag të luftës së drejtpërdrejtë. Me rikthimin e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, politika e “presionit maksimal” ndaj Iranit u rivendos, me një mesazh të qartë: Irani nuk mund dhe nuk duhet të ketë armë bërthamore.
Donald Trump: “Ata nuk mund të kenë një armë bërthamore. Me mua është shumë e thjeshtë; Irani nuk mund të ketë një armë bërthamore. Ne nuk duam të jemi të ashpër me Iranin. Ne nuk duam të jemi të ashpër me askënd, por ata thjesht nuk mund të kenë një armë bërthamore."
Në vitin 2025, pas muajsh negociatash të pasuksesshme dhe paralajmërimesh gjithnjë e më të ashpra, kriza arriti kulmin. Izraeli goditi objektiva iraniane, ndërsa SHBA u përfshi drejtpërdrejt në konflikt. Më 21 qershor, forcat amerikane bombarduan tre objekte bërthamore iraniane, përfshirë Fordow-in, që Uashingtoni e quajti zemra e programit bërthamor të Iranit. Presidenti Trump e shpalli operacionin një sukses historik dhe i bëri thirrje Iranit t’i jepte fund konfliktit. Sot, në fillim të vitit 2026, marrëdhënia SHBA–Iran mbetet e ngrirë mes kërcënimit dhe diplomacisë. Uashingtoni paralajmëron për përgjigje të forta ndaj çdo destabilizimi, ndërsa Teherani këmbëngul se nuk do të dorëzohet ndaj presionit dhe se pasurimi i uraniumit është e drejtë sovrane. Pas më shumë se shtatë dekadash përplasje, një gjë mbetet e qartë: kjo nuk është thjesht një krizë politike, por një konflikt i thellë historik, ku çdo kapitull i ri mbart peshën e të shkuarës dhe rrezikun e së ardhmes. (A2 Televizion)
SHBA-Iran: 70 vite armiqësi, nga grushti i shtetit tek kërcënimi për luftë, pse nuk arrit kurrë paqja?