SHBA-Iran takim për një marrëveshje bërthamore, Trump: Ditë e keqe nëse nuk arrihet, Teherani: Topi në fushën e Amerikës

Nga A2 CNN
8 Prill 2025, 07:31 | Bota

SHBA-Iran takim për një marrëveshje bërthamore, Trump:

SHBA-ja dhe Irani do të zhvillojnë “bisedime të drejtpërdrejta” mbi një marrëveshje të mundshme bërthamore të shtunën. Kjo është bërë e ditur nga presidenti amerikan Donald Trump, por është konfirmuar gjithashtu edhe nga ministri i jashtëm i Iranit, i cili tha se bisedimet do të ishin "të tërthorta", por mund të jenë "po aq sa një mundësi aq edhe një provë".

Presidenti amerikan tha të hënën se diskutimet midis Uashingtonit dhe Teheranit do të ishin në "nivel shumë të lartë" dhe paralajmëroi se do të ishte një "ditë shumë e keqe për Iranin" nëse nuk arrihet marrëveshje.

Muajin e kaluar, Trump ngriti perspektivën e veprimit ushtarak kundër Iranit pasi udhëheqësi i tij suprem Ayatollah Ali Khamenei refuzoi publikisht ofertën për bisedime të drejtpërdrejta .

Trump zbuloi bisedimet pas një takimi në Shtëpinë e Bardhë me Benjamin Netanyahun e Izraelit, i cili gjithashtu ka ngritur më parë mundësinë e sulmit ndaj Iranit për ta ndaluar atë nga marrja e armëve bërthamore.

Duke folur në Zyrën Ovale, Trump tha: "Ne kemi një takim shumë të madh të shtunën [me Iranin] dhe po merremi me ta drejtpërdrejt... Dhe ndoshta do të arrihet një marrëveshje, kjo do të ishte mirë."

Trump më vonë tha se Irani do të ishte në "rrezik të madh" nëse bisedimet nuk do të ishin të suksesshme, duke shtuar: "Irani nuk mund të ketë një armë bërthamore dhe nëse bisedimet nuk janë të suksesshme, unë në fakt mendoj se do të jetë një ditë shumë e keqe për Iranin".

Presidenti nuk dha detaje të mëtejshme rreth bisedimeve, duke përfshirë përparimin e tyre ose cilët zyrtarë janë përfshirë.

Ministri i Jashtëm i Iranit konfirmoi se Uashingtoni dhe Teherani do të takohen në Oman më 12 prill.

Abbas Araqchi shkroi në X: "Është sa një mundësi aq edhe një provë. Topi është në fushën e Amerikës."

Në mars, Trump i dërgoi një letër liderit të Iranit nëpërmjet një ndërmjetësi nga Emiratet e Bashkuara Arabe, duke treguar gatishmërinë e tij për të negociuar.

Kjo ofertë u refuzua nga Irani, megjithëse udhëheqja e tij tregoi gatishmëri për të diskutuar një marrëveshje të mundshme me SHBA-në nëpërmjet një pale të tretë.

Kufizimi i aftësisë së Iranit për të ndërtuar armë bërthamore ka qenë një objektiv kyç i politikës së jashtme për SHBA-në dhe aleatët e saj për dekada.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos