
I dërguari special i presidentit Donald Trump, Steve Witkoff, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara presin që negociatat me Iranin të zhvillohen gjatë kësaj jave, duke dhënë sinjale për një mundësi rifillimi të dialogut diplomatik.
Gjatë një konference në Miami, Witkoff u shpreh optimist për zhvillimin e takimeve, duke theksuar se ka shenja pozitive në terren.
“Mendojmë se do të ketë takime këtë javë. Shpresojmë për këtë. Anijet po kalojnë, dhe kjo është një shenjë shumë e mirë,” tha ai, duke e cilësuar situatën si një zhvillim pozitiv për palën amerikane.
Megjithatë, procesi mbetet ende i paqartë. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka bërë të ditur se SHBA-të nuk kanë marrë ende një përgjigje zyrtare nga Irani lidhur me propozimin prej 15 pikash për t’i dhënë fund konfliktit.
Në një intervistë për CNN, Rubio tha se kanë ekzistuar kontakte dhe sinjale për gatishmëri për dialog, por mungon ende një përgjigje e qartë nga pala iraniane.
Ai shtoi se një nga pengesat kryesore për negociatat është paqartësia mbi përfaqësimin e Iranit në tryezën e bisedimeve, pas goditjeve të fundit që kanë prekur strukturat drejtuese të vendit. (A2 Televizion)