Komiteti Hetimor i Shtetit në Rusi ka reaguar pas hedhjes në erë të dy urave hekurudhore nga ushtria ukrainase.
Sipas mediave të huaja, ky Komitet ka akuzuar Ukrainën për kryerjen e “akteve terroriste” pasi dy ura hekurudhore në rajone të ndryshme ruse u shembën në të njëjtën natë gjatë fundjavës.
Urat u hodhën në erë dhe sulmet ishin planifikuar për të synuar civilët, pretendoi komiteti në rrjetin social Telegram, shkruan A2 CNN.
Thuhet se shtatë persona u vranë dhe 113 të tjerë u plagosën, përfshirë fëmijë, kur dy trena u përplasën në rajonet Kursk dhe Bryansk të Rusisë si pasojë e sulmeve.
Kujtojmë se të dyja palët, si Rusia, ashtu edhe Ukraina, i kanë vijuar sulmet kundrejt njëri-tjetrit, pavarësisht thirrjeve të Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, për të arritur një armëpushim. (A2 Televizion)