
Ambasadori i Iranit në Kombet e Bashkuara ka dënuar bllokadën e vendosur nga Shtetet e Bashkuara ndaj porteve iraniane, duke e cilësuar atë si një “shkelje të rëndë” të sovranitetit të vendit, raporton A2CNN.
Në një letër drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, ambasadori Amir Saeid Iravani thekson se bllokada “e paligjshme” përbën një shkelje serioze të parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare detare.
Të hënën, Guterres u bëri thirrje “të gjitha palëve” të respektojnë lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë ujore jetike për transportin global të naftës.
Bllokada nga ushtria amerikane ndaj porteve iraniane hyri në fuqi pasi bisedimet për paqe me Iranin në Pakistan dështuan.
Komanda Qendrore e SHBA-së bëri të ditur se bllokada do të zbatohet “në mënyrë të paanshme ndaj anijeve të të gjitha vendeve që hyjnë ose dalin nga portet apo zonat bregdetare iraniane”, por theksoi se nuk do të pengohen anijet që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit në drejtim të porteve jo iraniane, apo anasjelltas.
(A2 Televizion)