Zjarr dhe stuhi në Shtetet e Bashkuara. Nuk është titulli i një filmi në Hollivud, por “ferri” që po mbizotëron në atë zonë amerikane.
Në Los Angeles të Kalifornisë është shpallur gjendja e emergjencës për shkak të zjarreve që kanë shpërthyer në kodrat përreth qytetit.
Më shumë se 30 mijë banorë janë evakuuar, ndërsa 180 mijë njerëz po vuajnë nga mungesa e energjisë elektrike.
Imazhet e publikuara nga mediat dhe qytetarët në rrjete sociale shfaqin ferrin e vërtetë që kanë sjellë flakët, duke përfshirë banesa dhe ndërtesa, re të mëdha tymi të zi, rrugë të bllokuara nga automjetet e braktisura dhe njerëz që arratisen me shpejtësi mes zjarreve si dhe stuhi të forta ere.
Presidenti amerikan, Joe Biden, që ka anuluar një udhëtim në lindje të Kalifornisë, ku duhej të inauguronte dy monumente kombëtare, ka ofruar ndihmë federale.
Agjencia për mbrojtjen civile ka miratuar fondet për të mbështetur komunitetin e prekur. E teksa zjarrfikësit po punojnë për shuarjen e flakëve, që aktualisht janë shtrirë në shumë se 1200 hektarë në Pacific Palisades, vatra të reja po shfaqen në pjesën lindore të Los Angeles.
Edhe në atë zonë është dhënë alarmi dhe kanë nisur evakuimet. (A2 Televizion)